Po pas 2012-s, çdo të bëjmë me termocentralin me qymyr?
Në këndvështrimin e marrëveshjes së re për ndryshimet klimatike, e cila do të zëvendësojë protokollin ekzistues të Kiotos pas 2012-s, do të ketë presion për Shqipërinë për adoptimin e politikave karbonreduktuese dhe ofrimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe stimulues për teknologjitë me karbon të ulët. Vendimi i fundit për operimin e një termocentrali me qymyr për 30 vitet e ardhshme, mund të influencojë ndjeshëm vendin e Shqipërisë, në lidhje me emetimet e karbonit. Centralet me qymyr, jo vetëm që përbëjnë një shqetësim global për emetimet e karbonit, por gjithashtu janë një burim i konsiderueshëm ndotjeje. Ndër emetimet që dëmtojnë më tepër shëndetin njerëzor, mund të përmenden emetimet e pjesëzave të vogla, NOx and SOx.
Me gjithë faktin që termocentralet me qymyr njihen si ndikuesit më të mëdhenj në ndryshimet klimatike edhe përtregun strikt mjedisor të BE-së, elita qeveritare Shqiptare duket e vendosur për ta pasur një të tillë. Pyetja shtrohet nëse kjo vendosmëri vjen pas vlerësimit strategjik të gjenerimit dhe eficensës së energjisë në vend? Vjen pas shqyrtimit të përgjegjshëm të emetimeve të karbonit nga Shqipëria në terma afatgjatë?
Procesi skizofrenik i vendimmarrjes për termocentralin me qymyr të Durrësit, i realizuar, deri tani nuk e tregon këtë.
Sa për ENEL-in italian, spostimi i prodhimit të energjisë në një vend jo Evropian si Shqipëria, ku reforma e BE-së për skemën e tregtimit të emetimeve të karbonit mungon (dhe për rrjedhojë prodhimi i energjisë nga qymyri nuk bëhet shumë i shtrenjtë), është katërcipërisht përfitues. ENEL-i, në ketë mënyrë, mënjanon kostot shtesë të shkaktuara nga kjo reformë dhe, në të njëjtën kohë, plotëson kërkesat për energji në vend (Itali). Kostoja e ndotjes, sigurisht që nuk do t’u mbesë italianëve.