Marrëveshja, të dënuarit tani mësim në burg
MASH-i dhe Ministria e Drejtësisë, do të hapin klasa në burgje. 146 të dënuar kanë kërkuar të vazhdojnë shkollën
Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me atë të Drejtësisë, do të fillojë së shpejti ngritjen e klasave pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), për të dënuarit që kërkojnë të vazhdojnë shkollën. Aktualisht, dëshirën për t’u arsimuar, paçka kushteve në të cilat ndodhen, e kanë shprehur 146 të dënuar. Të interesuarit janë, qoftë të ciklit të parë, qoftë të ciklit të dytë të arsimit 9-vjeçar. MASH-i do të marrë përsipër realizimin e të gjithë anës pedagogjike të procesit mësimor, duke përfshirë vënien në dispozicion të mësuesve, si dhe pajisjen me mjete mësimore. Po kështu, Ministria e Arsimit ka premtuar se do të përgatisë programe specifike për procesin mësimor. Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë do të marrë përsipër sigurimin e kushteve, klasa të përshtatshme dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme. Ky dikaster do të sigurojë transportimin e mësuesve, kur këto institucione ndodhen larg nga qendrat e banuara, shërbim psikologjik dhe social për procesin e mësimdhënies. Mësuesit që do të japin mësim në këto institucione do të jenë të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë, sipas kërkesave të Drejtorisë Arsimore përkatëse. Procesi mësimor do të realizohet me kohë të plotë ose të pjesshme, në një ambient të veçantë, të përshtatur për dhënie mësimi pranë IEVP-së. Arsimimi me kohë të plotë, do të realizohet vetëm për nxënësit në moshën e arsimit të detyruar në Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Vaqarr, Tiranë, ndërsa arsimimi me kohë të pjesshme, do të realizohet në të gjitha IEVP-të, bazuar në legjislacionin përkatës për arsimimin me kohë të pjesshme. Klasat pranë IEVP-së do të varen nga shkolla e arsimit të detyruar pranë njësisë administrative të IEVP-së, ndërsa regjistrimi i nxënësve në klasat përkatëse, do të bëhet mbi bazën e dokumentit të mbarimit të klasës, ose testimit nga ana e komisionit të ngritur për këtë qëllim. Me mbarimin e klasës, apo shkollës, i dënuari do të përfitojë dokumentin përkatës, certifikatë apo diplomë, i cili është i njëvlefshëm me ato të përfituar nga shkolla të të njëjtin nivel jashtë institucionit.