E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonja Berisha mbledh gratë e diplomatëve në Pallatin Mbretëror

TIRANË- Një ditë e vecantë është shënuar në Pallatin Mbretëror në Tiranë, ku edhe të ftuarat janë shfaqur ndryshe nga një ditë e zakonshme. Në një aktivitet të iniciuar nga bashkëshortja e kryeministrit Liri Berisha, gratë e diplomatëve kanë kaluar një ditë nën moton “Identitet dhe traditë”, ku edhe veshja e tyre i përshtatej motos së këtij aktiviteti. Qëllimi i tij ishte promovimi i klubit diplomatik “Mirësevini në Tiranë”.

“Qëllimi i krijimit të këtij klubi është që këto takime, që do të jenë të shumta në numër edhe në anëtarësim, t’i shërbejë njohjes së historisë, kulturës, traditës së vendit tonë. Do ishte një kënaqësi e madhe për ne, që kur të mbaroni misionin tuaj të nderuara zonja, të dini c’të tregoni për Shqipërinë, të keni mall për vendet e bukura dhe historinë tonë”, tha zonja Berisha.

Pjesëmarrëset në Pallatin Mbretëror u njohën më nga afër me historinë e shtetit shqiptar, me familjen mbretërore, si dhe me historinë e asaj periudhe. Më tej dita vijoi me një drekë me gatime e muzikë, tërësisht tradicionale.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Zonja Berisha mbledh gratë e diplomatëve në Pallatin Mbretëror

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›