“Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, nje doracak i patologjisë komuniste
Në një intervistë të posaçme, përkthyesi rumun i librit “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, Tiberius Puiu, e klasifikon monografinë si një kontribut të çmuar intelektual për ta mbajtur zgjuar kujdesin e publikut të gjerë, në të gjitha vendet ish-komuniste, lidhur me gjurmët e lëna nga diktatura, në sjelljen dhe filozofinë e përditshme “çdo studim mbi komunizmin shqiptar duhet të niset duke lexuar monografinë “Zonja e zezë” të Fahri Balliut”. Tiberius Puiu, publicisti i njohur, kontribues në mbrojtje të çështjes së Kosovës, dhe përkthyes i kësaj monografie në gjuhën rumune, thotë kështu teksa jep mbresat nga procesi i përkthimit. “Pasi e lexova këtë vepër, kuptova se në faqet e tij ndërkallet historia e komunizmit shqiptar, një histori e ngjashme me atë të diktaturës komuniste në Rumani. Ja vetëm dy shembuj: si komunizmi shqiptar, po edhe ai rumun, janë zhvilluar fillimisht nën ndikimin e fqinjëve, të rusëve, respektivisht të serbëve, duke i shërbyer në sfond afirmimit të idesë imperialiste të këtyre popujve. Flitet fare pak te ne se anëtarë të Partisë Komuniste Rumune ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në këtë kontekst, komunistët rumunë dhe shqiptarë e kanë tradhtuar interesin nacional, duke u garantuar okupatorëve territore etnike, siç janë Kosova dhe Besarabia”, thotë Puiu. Ai e quan botimin e këtij libri në rumanisht si një ngjarje për lexuesin rumun, i cili ka mundësi të shohë një formë të ngjashme të komunizmit që vetë e jetoi, nën një stil që të rrëmben siç është stili i shkrimtarit Balliu. Për Puiu-n, ky libër nuk është vetëm një instrument njohjeje historike, por edhe një paralajmërim pë rreziqet që mbart komunizmi. “Në të njëjtën kohë, libri është një shembull i mirë për procesin e luftës kundër komunizmit në Shqipëri, aktivitet të cilin z Balliu i kushton me të gjithë përpjekjet e tij. Dalja e këtij libri në rumanisht do të kontribuojë në zhvillimin e demokracisë në Rumani”, thotë Tiberius Puiu. Më poshtë ai bën një rrëfim më të gjatë, mbi përkthimin në rumanisht të “Zonjës së zezë”, komunizmin, dhe qëndrimet që vendet ish-komuniste duhet të mbajnë me të shkuarën e tyre… Ju jeni përkthyesi i monografisë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” në gjuhën rumune. Si ishte për ju puna për përkthimin e këtij libri?E kam blerë librin në Tiranë para disa vitesh, dhe m’u duk fort interesant. E njihja, disi nga larg realitetin shqiptar (kam qenë i abonuar nga viti 1975 deri më 1990 në Zëri i Popullit), dhe dëshiroja të dija më shumë për historinë e këtij vendi. Deri atëherë pata shkruar artikuj të ndryshëm për komunizmin shqiptar, botuar në shtypin e Rumanisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë (sidomos mbi subjektin e Kosovës, por për shembull kam botuar gjithashtu edhe një recension të gjerë për librin e Pjetër Pepës “Dosja e diktaturës”). Me rastin e asaj vizite në Tiranë, dhashë një intervistë për gazetën “Koha jonë”, në të cilën deklaroja se dëshiroja të shkruaja një histori të Shqipërisë. Vetëm se ky libër i zotit Fahri Balliu më rrëmbeu dhe u binda se ai është - së paku deri më tani - jo vetëm një vepër e mirë letrare, por vepra më e mirë mbi komunizmin shqiptar. Kështu u përpoqa ta kontaktoj autorin për t’i marrë pëlqimin për përkthimin e librit, dhe me këtë rast e falënderoj edhe për besimin që më akordoi. është afërmendsh bindëse fakti se fjalori i gjuhës shqipe, i përvetësuar përmes “Zërit të popullit” (kursim, kursim, në një dorë pushkën, në tjetrën kazmën, etj.) nuk më ishte i mjaftueshëm, kështuqë disa herë kam përdorur për verifikimin e përkthimit edhe versionin e librit në gjuhën angleze. Më ka ndihmuar fakti se njihja shumë fakte nga historia e freskët e Shqipërisë dhe e personazheve historike që përmenden në libër.Si do ta përkufizonit stilin e z. Balliu, dhe rrëfimin e tij në këtë monografi?E kam çmuar shumë stilin e zotit Balliu dhe jam përpjekur t’ia përshtas sa më mirë lexuesit rumun. Nëse ky libër ka patur një jehonë mbresëlënëse në Rumani, kjo i detyrohet në radhë të pare stilit të autorit. Mund të them se për mua libri përfaqëson një konstruksion solid, të cilit më duket se nuk i duhet asgjë shtuar dhe se nuk ka asgjë për t’ia hequr. Por unë kam bërë gjithsesi disa shënime në publikim, të nevojshme për lexuesin rumun, për njohjen sa më të mire të disa personazheve dhe rolit të tyre (afërmendsh se lexuesi shqiptar nuk kishte nevojë për një gjë të këtillë).“Kritika rumune e quajti këtë libër një hetim të thellë të një universi politik që prodhon tmerr dhe hakmarrje. “Në këtë libër nuk është bota e intrigave florentine, por ajo e pasioneve klanore të kamufluara në një llafollogji dialektik”, thotë prof Tismaneanu. Për ju ç’përfaqëson ky libër?Nuk mund të ndalem vetëm tek aspekti i vënë në pah i profesorit Tismaneanu. Një tjetër meritë e madhe e librit, qëndron në atë se na tregon gjëra që ishin të mundshme vetëm në një regjim totalitar, siç ishte ai komunist. Për atë mendoj se çdo studim lidhur me historinë e komunizmit duhet ta citojë librin e Zotit Balliu.Shtypi rumun e ka krahasuar Nexhmije Hoxhën me Elena çausheskun. Si do i klasifikoje këto dy personazhe, veçanërisht në çka ndikuan në historinë e vëndeve të tyre?Kuptohet se s’jemi kundër pjesëmarrjes së gruas në aktivitetin politik, por kjo nuk duhet bërë nën hijen e burrit e me shfrytëzimin e autoritetit të tij. Kurse Nexhmije Hoxha, Elena çaushesku, Jovanka Broz, Qian Zhi, nuk kishin asnjë meritë përveç asaj se ishin bashkëshortet e udhëheqësve. Nuk kemi asgjë kundër grave që ngrihen në politikë falë meritave dhe kontributeve që mund të japin, por këto gra ishin ndryshe, ato ishin të zeza, ashtu si gruaja që përshkruan me aq vërtetësi zoti Balliu në librin e tij.Cili sipas jush duhet të jetë raporti që vendet ish-komuniste duhet të mbajnë me të shkuarën?Mendoj se lufta kundër komunizmit nuk ka marrë fund derisa nuk do ta dëbojmë mentalitetin komunist që ka mbetur i rrënjosur te shumëkush prej nesh. Ne, rumunët, kemi një shembull të keq përmes asaj se, edhe pse zyrtarisht në kohën respektive është luftuar kulti i individit, nga kulti i Gjorgjiu Dezhit mbërritëm shpejt tek kulti i çausheskut, i cili pothuajse e tejkalonte atë të Stalinit (barazohej me atë të Enver Hoxhës). Për fat të keq mendoj se në Rumani ende ekziston rreziku i një kulti të ri të udhëheqësit.Cili është mendimi juaj për letërsinë e vëndeve post-komuniste, duke u nisur nga Rumania dhe Shqipëria?Në të vërtetë mund të them se kam ndjekur dhe e ndjek në vazhdimësi letërsinë, sa atë artistike, po aq edhe atë dokumentare, nga shumë vende ish-komuniste. Konsideroj se pothuajse të gjitha vendet kanë sjellë kontributin e tyre në përshkrimin e terrorit komunist. Por ka edhe përjashtime. Në Rusi përshembull, sot e gjithë ditën flitet gjithnjë e më pak për komunizmin, kurse për Serbinë, jo rastësisht, por faktikisht, mund të themi se ende s’ka bërë një shkëputje totale nga regjimi komunist.Në shtypin shqiptar, libri i z. Balliu është vlerësuar si një manual që duhet lexuar për të kuptuar filozofinë e një vendi nën diktaturë. Sa sipas jush publicistët apo intelektualët po bëjnë për të demaskuar të shkuarën e tmerrshme të komunizmit?Po, është nja doracak i patologjisë komuniste, është një punim bazë për studimin e komunizmit. Ai ndihmon shumë në të kuptuarit më të mirë të teorisë dhe sidomos të praktikës komuniste. Intelektualët e publicistët duhet të gjejnë format më të mira për ta mbajtur zgjuar kujdesin e publikut të gjerë lidhur me gjurmët e lëna nga komunizmi në sjelljen dhe mendimin tonë.Z. Tiberius, ju njiheni si nje mik i madh i shqiptarëve te Kosoves. Si do ta vlerësoje situaten aktuale ne Kosove pas pavaresise?Kam shkruar shumë për Kosovën. Gazeta Ngjarja e ditës (Evenimentul zilei) - e afërt me presidentin Basescu, ka botuar deri tani dy faqe kushtuar qëndrimeve të mia lidhur me Kosovën. Sipas bindjes sime, Kosova ka në radhë të parë nevojën të gjejë rrugët më të shpejta për zhvillimin e saj ekonomik. Natyrisht, unë nuk mund të jap këshilla, por vetëm them se kush ka të drejtë, por ndoshta se një luftë politike e brendshme tejet armiqësore, nuk shkon në favor të Kosovës. Pastaj, propaganda serbe është mjaft aktive dhe ja se si pas 25-30 vitesh, Evropa ishte e terrorizuar nga mafitë serbe…A mund te na thoni diçka më tepër mbi punën tuaj krijuese si përkthyes?Kam përkthyer nga gjuha ruse, ukrainase e bjelloruse, disa punime, jo veç letrare, por edhe që trajtojnë aspekte të ndryshme historike. Kam shkruar një histori të përgjithshme të Ukrainës. Të gjitha ndërlidhen me periudhën komuniste, ngase unë mundohem të sjell kontribut për atë që ekspozova edhe më lart. Njohja e shfaqjeve të ndryshme të komunizmit mund të na ndihmojë të shërohemi nga kjo sëmundje me të cilën u infektuan udhëheqësit që përfituan nga kjo doktrinë. Kam synim të sjell në një libër të përmbledhur, aspekte të ndryshme nga historia e komunizmit në vendet ish-komuniste. Këto kohë jam fort i përfshirë nga librat e një autori kinez, i vendosur në SHBA, i cili përshkruan në një libër të vetin luftën e Koresë dhe në një tjetër syresh revolucionin kulturor (kohëve të fundit kam qenë edhe në Korenë e Jugut, edhe në Taivan). Ndoshta mund të shkruaj edhe një libër për Kosovën, pas një vizite që kam ndërmend të bëj atje. Jam i interesuar për problematikën shqiptare dhe do të ishte i dobishëm përkthimi i një libri për botën shpirtërore shqiptare - nuk e di nëse “Don Kishoti shqiptar” është një titull që i korrespondon këtij qëllimi (e kam në plan ta lexoj)....