E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma “një qytetar një pemë”, Bashkia medalje për bizneset

 

ZIRINA LLAMBRO

“Kush mbjell një pemë, mbjell një shpresë”. Nën këtë moto Bashkia e Tiranës zgjodhi Ditën Ndërkombëtare të Tokës, për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që kontribuan në nismën e saj “Një qytetar, një pemë. Në një ceremoni të organizuar dje në lulishten e sheshit “Skënderbej”, Kryebashkiaku Edi Rama nderoi  me “Medaljen e Mirënjohjes” të gjithë ata që nuk u kursyen për t’i dhënë Tiranës më shumë frymëmarrje. “Kjo është dita e Tokës, është dita e celebrimit të arritjeve tona dhe krijimit të vizioneve të reja për të shpejtuar progresin mjedisor. Kjo është një moment për t’u bashkuar për aksione të reja”, tha Rama.
Sipas tij, në frymën e kësaj dite celebrohet një arritje e përbashkët, hapja e një kapitulli të ri në jetën e bashkësisë kryeqytetase. “Në këtë bashkësi ku qytetarë, sipërmarrës kanë mundësuar pasurimin e Tiranës me rreth 8000 pemë të reja deri në fund të këtij sezoni mbjelljesh, të cilat me hapjen e sezonit të ri të mbjelljeve, që përkon me fundin e këtij viti, do të bëhen mbi 12 mijë dhe si sot një vit do të kapërcejnë 20 000”, nënvizoi kryebashkiaku në fjalën e tij. Ai shtoi se në vitin 2010 do mbillen në Shqipëri më shumë pemë se sa janë mbjellë në 18 vitet e fundit të marra së bashku. “Kemi vendosur të ndajmë tre medalje të arta, të argjendta dhe të bronxta sepse duke pranuar që kjo nismë nuk është një çështje sasiore por cilësore në gjestin qytetar, duam njëkohësisht të nxisim edhe një shpirt gare për të bërë që të gjithë sipërmarrësit që në vijim do t’i bashkohen kësaj nisme të nxiten drejt medaljeve të arta”, shtoi Rama.
Në kuadër të nismës së dobishme komunitare “Një qytetar, një pemë”, ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, është realizuar një bashkëpunim i frytshëm me donatorë dhe biznese të ndryshme që operojnë dhe kryejnë veprimtarinë e tyre në kryeqytet, me qëllimin e vetëm gjelbërimin e rrugëve të Tiranës dhe si rrjedhojë përmirësimin e shëndetit. Në këtë iniciativë të Bashkisë së Tiranës u bashkuan një numër i konsiderueshëm biznesesh dhe u bënë pjesë aktive e saj, përmes një kontributi mjaft të vlefshëm në shëndetin e komunitetit të gjerë dhe në arritjen e standardit mbi gjelbërimin. “Të gjithë këto sipërmarrje, përveçse vlerësuan edhe njëherë partneritetin publik-privat, treguan edhe vullnetin pozitiv, në përmirësimin e cilësisë së jetës, si dhe siguruan shpresën për një të ardhme më të mirë, duke bërë së bashku më të mirën për shëndetin dhe mirërritjen kryesisht të fëmijëve tanë”, bëri me dije Bashkia e Tiranës.

Medalja e arta

BKT - Banka Kombëtare Tregtare
Banka Popullore
Alba-Trans
Tirana Bank
ProCredit Bank
VODAFONE
Raiffeissen Bank

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›