E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zonja sekretare dhe hanëmkat e politikës shqiptare

26/03/2005  Intuita femërore më çon shpesh në librat që kanë fillim e mbarim një personazh femër. Këtë herë jam në grackën e intelektit dhe fisnikërisë së znj.Madleine Albright dhe librit të saj autobiografik, i cili, fatmirësisht, është i përkthyer sërish nga një grua. Kurrë nuk e pa punën si barrë apo si portë privilegjesh. Si dikush që gjatë gjithë jetës ishte hedhur nga njëri shkëmb i rrëshqitshëm te tjetri, i pëlqen stimuli i vazhdueshëm që i jepte të qenurit Sekretare e Shtetit. Ajo beson te parimet që e kanë ndjekur që nga fëmijëria e largët, që janë të vërtetat e qarta të barazisë dhe vlerës së pashlyer të mishëruar te secili indivd, shqiptuar nga Jefferson dhe interpretuar në mënyrë të shkëlqyeshme nga Lincoln, me anë të shpalljes së emancipimit dhe Fjalimit të Gettysburg-ut.

Ndoshta disa do të thonë se ndihmova një brezni grash të vjetra në moshë se si të ishin krenare dhe grave të reja që të mos kenë frikë të guxojnë - është fjalia e fundit e shkruar prej Madleine Albright në librin e saj autobiografik “Zonja Sekretare”. Brenda kësaj fraze është jeta dhe përpjekjet e një gruaje, e cila gjatë gjithë kohës mendoi dhe u përpoq të emanciponte vetveten, familjen dhe të përcillte këtë emancipim në tërë njerëzit, me të cilin i ra rasti të njihej, të punonte, apo të jetonte. Ky libër ka shumë mesazhe brenda tij dhe mund të lexohet e komentohet kapitull për kapitull, por filli i rezistencës dhe konsolidimit të fenomenit grua është ajo magjia që e bën një mesazh të madh, duke filluar nga faqja e parë e duke u endur në meditim edhe përtej fundit. “Gratë duhen lënë t’i marrin vet vendimet, sipas rrethanave të tyre të veçanta, kurse ata që nuk janë dakord me këtë mendim, bëjnë mirë të shohin punën e tyre, shprehet Madleine Albright, në vitin 1963.

Mënyra se si kjo grua luftoi dhe u përpoq për realizimin e karrierës së saj është një dëshmi e fortë e asaj ç’ka mund të arrijnë gratë në jetën politiko-shoqërore, kur arrijnë të njohin dhe të duan shumë veten e tyre. Shumë gjëra në jetë janë të ndërlikuara dhe tej mundësisë sonë për të kuptuar, por parimet themelore të lirisë njerëzore nuk janë aq të ndërlikuara. Ky është mësimi që nxjerr dikush që e lexon këtë libër. Pa menduar se do shtjelloj gjithçka sjell ky libër, ajo që të bën të reflektosh është gjetja e një ekuivalenti të ngjashëm, apo e disa emrave të njohur në politikën dhe jetën shqiptare që të paktën do të kishin bërë apo tentojnë të arrijnë atë që zonja Sekretare arriti në jetën e politikën e saj amerikane. Këtu fillon dëshpërimi im intelektual, mosbesimi social dhe hutimi shoqëror për politikën tonë, e cila fillon me degëzimet e çdo partie duke përfunduar në një kombëtarizim të problemit dhe fenomenit GRUA. Cili është thelbi në fund të fundit? Pjesëmarrja e gruas në jetën politike është një lloj çibani për të gjitha ngjyrat e partive. Frika e zhburrërimit të muskujve politikë i ka bërë këto argumente thuajse të panjohur për të gjithë. Edhe emrat e paktë që vijnë në kujtesën time janë shumë larg titullit të lartë fisnik- Zonjë - vërtiten qark ndonjë paradoksi Hanëmkë… gruaja e Atij, apo e shoqja e Këtij. Tituj që asnjëherë nuk dolën jashtë derës së partisë, biografi të paqarta vlerash dhe kontributesh të mëdha social–politike.

Përpëlitje bëhen në kate më të ulëta të shoqërisë butikëse me emra shkrimtareshash dhe avokateshash, por mediokriteti i tyre nuk i lejon të mendojnë se ka ende shkallë për t’u lartësuar dhe këto shkallë kërkojnë njësinë matëse MAT, e cila vjen që prej qytetërimit të lashtë egjoptian e që e mat moralin dhe vlerën e njeriut, duke i vënë ekuivalent simbolik një pendë pëllumbi. Ku t’i gjejmë ne shembujt për të instaluar një politikë emancipuese femërore, e cila të jetë e aftë të përballojë edhe muskujt e politikës së fortë të burrave, edhe militantizmin e zemëruar të të gjitha partive. Duke njohur nga afër tre prej emrave femërorë, T.Baleta, M.Bregu, T.Kongoli, që qenë të parat në listën e Komitetit të Orientimit të Politikave, të prezantuar nga PD, e duke qenë e bindur për vlerat dhe ambiciet e tyre intelektuale, profesionale e duke vlerësuar formën dhe përmbajtjen me të cilën shfaqet në ambientet politike dhe sociale znj.Topalli, mendoj se diku-diku kanë filluar të shfaqen reflekse të një emancipimi shumëplanësh femëror e civil në përgjithësi. Por, ajo që dëshirojmë të reflektohet është dritë e një lirie dhe emancipimi më të thellë, më të kulturuar, më të besueshëm.

Një nga një po dekonspirohen emrat e të zgjedhurve të secilës forcë politike në listën e kandidatëve për deputetë. Jam e bindur që emrat e grave do të jenë pak, ose sa për garniturë, sa për të të zbutur tonin maskilist të fushatës dhe ato asnjëherë ose shumë pak do të dominojnë, duke qenë zonja të vërteta, duke qenë emra të veçantë që, pa iu dridhur qerpiku, kur t’u mbarojë mandati, të ulen e të shkruajnë me dashuri e vullnet për kontributin e tyre lënë brezave të rinj femërorë. Të flegmatizuar dhe të indoktrinuar, të shkurtëra dhe shabllone, veprimtaritë e emrave të njohur të grave shqiptare që janë gdhirë një ditë të bukur në zyra ministrash, nuk kanë shumë për t’i thënë lexuesve vite më vonë, sepse asnjërës prej tyre nuk i është dashur të mendojë për lirinë dhe pasurinë e vendit para shtëpisë e pasqyrës së tyre. Sepse asnjërës prej tyre nuk i punoi mendja për të ideuar e ndërtuar programe gjithëpërfshirëse të shumë grave në jetën, të cilën ato po e shijojnë shumë tinëzisht gastronomikisht. Gjysmë shekulli më parë, Anna Kuliscioff kishte ngritur problemin e gjendjes së gruas në një diskutim të famshëm “Dinastia e burrit”, për të mbrojtur idetë e saj dhe dinjitetin e njeriut bëri burg. Kurse ne na mbeten vetëm mitet e lashta e të vjetra për t’u mbajtur fort pas tyre e për të gjetur kurajon për të sfiduar. Dhe paradoksi më i madh qe, që edhe festën e 8 marsit e festojnë veç gratë demokrate, veç gratë socialiste. Se ku ndryshon robëria dhe meskiniteti i tyre nuk e di, por dëshira për liri, dinjitet, personalitet është e njëjtë mes tyre. Kam ndjesinë se përvoja të tilla si “Historia e jetës sime” e Hillary Clinton (përkthyer nga Pranvera Xhelo) apo “Zonja Sekretare” e M.Albright (përkthyer nga Engjëllueshe Shqarri) duhen lexuar më parë nga pjesa mashkullore e pushtetarëve. Ndërsa gratë e gjejnë veten shpejt brenda tyre, qoftë edhe me 1% të zemrës dhe endrrës së madhe të lirisë.

Përvoja amerikane ka farkëtuar bashkimin e një shumëllojshmërie prejardhjesh e kulturash, kurse përvoja shqiptare ka farkëtuar zinxhirë të të gjitha llojeve për kontributet e gruas në jetën social- politike. Një mësim e nxjerr të domosdoshëm për ta theksuar prej librit të Madleine Albright, që pa përpjekje dhe mundim asgjë nuk arrihet, dhe akti i përpjekjes në vetvete është e vetmja mënyrë për të ruajtur besimin te vetja. Më pas i bën kollaj të tjerët të kenë besim tek emri, personaliteti dhe intelekti yt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›