Vonohet vendimi, 2 javë në burg
Fatos Mahmutaj
Lirohet nga gjykata, i burgosuri qëndron dy javë më tepër në qeli. Shkak për mbajtjen e tij në burg, edhe pasi kishte përfunduar dënimin, është bërë një vendim gjykate, i cili duhej të mbërrinte në institucionit e ekzekutimit të vendimeve penale, Peqin, menjëherë pas shpalljes. I riu Altin Shuli, 29 vjeç nga fshati Kukur i Gramshit, i dënuar për vjedhje, ndodhej duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit. Pak kohë më parë, ai ka paraqitur kërkesë për ulje dënimi në Gjykatën e Elbasanit, ku pas shqyrtimit togat e zeza i kanë ulur dy muaj burg. Në këtë mënyrë, dënimi i tij, i cili ishte drejt fundit, llogaritej të përfundonte tre ditë më pas. Në këtë proces ka marrë pjesë një përfaqësues nga zyra juridike e burgut, i cili është njohur me vendimin e gjykatës. Por pasi është plotësuar afati i dënimit, i riu nuk është liruar me argumentet se në gjykatë nuk kishte mbërritur zyrtarisht vendimi i gjykatës. I burgosuri ka kundërshtuar, duke pretenduar se institucioni i burgut ka pasur përfaqësues në gjyq dhe për pasojë duhet të pranohej i mirëqenë shpallja e vendimit nga gjyqtari i çështjes. Për më tepër, sipas të burgosurit, institucioni i vuajtjes së dënimit duhet të njihej me një kopje të vendimit të shkurtuar, ndërsa vendimi i arsyetuar të mbërrinte më vonë. Pasi nuk është liruar ditën e përcaktuar nga gjykata, i burgosuri ka paraqitur ankesë në institucionin e Avokatit të Popullit, ku përfaqësues të këtij institucioni kanë bërë verifikime në burgun e Peqinit. Skënder Haluca, komisionari i Avokatit të Popullit për Burgjet, pohoi dje se janë dhjetëra raste kur të burgosur të ndryshëm vuajnë në qeli disa ditë më tepër nga dënimi, por nuk kanë munguar edhe rastet ekstreme ku të burgosurit kanë qëndruar edhe me muaj të tërë në burg, për shkak të mos zbardhjes së vendimeve të gjykatave apo mos ekzekutimit të vendimeve gjyqësore nga institucionet e prokurorisë. Ndërkohë, për rastin e 29-vjeçarit Shuli, ka rezultuar se vendimi gjyqësor, i dërguar zyrtarisht, ka mbërritur në burg rreth dy javë pas gjyqit, më datë 1 korrik, kohë në të cilën është bërë lirimi i të burgosurit. Tashmë ai i është bashkuar familjes së vet në fshatin Kukur të Gramshit, ndërsa rasti i tij i është shtuar atyre të tjerëve, që për shkaqe burokratike kanë qëndruar në qeli më tepër se dënimi.