E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e lë në qeli, u kap në "Qarkun e mbyllur"

 

TIRANE - Gjykata e kryeqytetit i komunikoi dje masën e sigurisë "burg pa afat" 43-vjeçarit Shkëlqim Mici, i arrestuar pak ditë më parë në vijimësi të një operacioni policor, të nisur në muajin mars. Kështu, paraditen e djeshme gjykatësi i gatshëm i kësaj jave në Gjykatën e Tiranës, i komunikoi "arrestin" e vendosur një javë më parë, ndërsa mësohet se gjatë seancës së mbajtur me dyer të mbyllura i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës së ngritur ndaj tij. Sipas vendimit të djeshëm, ai do qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve që po zhvillon prokuroria e kryeqytetit ndaj tij. Mici u arrestua katër ditë më parë në fshatin Vaqar të Tiranës, në vijimësi të operacionit "Qarku i Mbyllur", në kuadër të të cilit në muajin mars u prangos te pallati me shigjeta, në rrugën e Kavajës, Kreshnik Halilaj, të cilit iu kap një sasi prej 600 gramësh heroinë. Ndërkohë një tjetër person, i quajtur Geinhald Hyseni, i akuzuar si bashkëpunëtor i Micit dhe Halilajt, rezulton i shpallur në kërkim me vendim gjykate. Mbi të tre këta është ngritur akuza e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve në bashkëpunim", ndërkohë që prokuroria po i heton si anëtarë të një grupi që furnizonte me drogë shpërndarësit në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Mësohet se vetë i pandehuri, duke mohuar akuzën, ka pretenduar se peshorja elektronike që iu kap prej policisë nuk përdorej për peshimin e dozave të narkotikut, por për qëllime të tjera. Sipas tij, nuk ishte aspak krim të posedoje peshore elektronike, dhe për më tepër policia nuk i kishte kapur asnjë sasi droge apo sendi tjetër që ta implikonte në shpërndarjen e narkotikëve. Sipas përfaqësuesit të prokurorisë, gjatë operacionit policor, për kapjen e 43-vjeçarit Mici, në momentin e ndërhyrjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjeti i tij tip "Ford", me targë TR 6244 H, një peshore elektronike, dy celularë dhe dy karta telefoni. Aktualisht, sipas prokurorisë, po vazhdon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, jo vetëm në shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike por dhe në trafikim të lëndës narkotike heroinë. Ose e thënë ndryshe për zbulimin e rrugëve nga furnizoheshin me drogë të arrestuarit. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›