Berisha: Pasaporta e NATO-s, ndihmë për në BE
Kryeministri tregon detajet e takimeve dhe samitit
“Mali i besimit të vendosur mbi ne, përgjegjësi e madhe”
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të jetë një kredencial i cili do të ndihmojë vendin për një anëtarësim më të shpejtë në BE. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në konferencën për shtyp në Strasburg, se hyrja e vendit në NATO është si një pasaportë me vlerë edhe për integrimin në Bashkimin Evropian. I pyetur nga gazeta “standard” në lidhje me hapat e mëtejshëm të vendit për integrimin në BE në kushtet kur jemi anëtar të NATO-s, Berisha u përgjigj: “Pasaporta e NATO-s është jashtëzakonisht e çmuar dhe e vyer për Shqipërinë në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian” dhe se “procesi i integrimit evropian duhet të jetë një proces i bazuar në reforma dhe në perfomancën dhe suksesin e tyre”. Kreu i qeverisë shqiptare tha se në takimet me homologët e vendeve anëtarë të BE-së, ka gjetur një gjuhë të përbashkët dhe të mirëkuptueshme për Shqipërinë. Berisha premtoi se procesi i integrimit për në BE nuk do të ndalojë, përkundrazi, do të jetë një proces i pandalshëm.
Në konferencën për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare foli më tej për realitetin e ri të vendit si anëtar i NATO-s, duke vënë theksin tek besimi që i është dhënë Shqipërisë si dhe të përgjegjësive të reja. “Siç theksova edhe në samit, malin e besimit të vendosur mbi ne, unë e marr tërësisht si përgjegjësi të madhe dhe të gjithanshme, por dua të jem i sinqertë se parimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një nga parimet më kryesore të përkushtimit tim. Ndaj, dhe unë jam i vendosur të bëj çdo gjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - tha Berisha. Duke folur mbi përgjegjësitë e radhës, ai u zotua se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri do të jenë të lira dhe të ndershme. “Zotimi im është i qartë: do të bëhen të gjitha përpjekjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është zotimi im dhe unë e kam shfrytëzuar edhe këtë samit për të ftuar vëzhgues nga vendet anëtare të NATO-s në zgjedhjet e 28 qershorit”, - deklaroi Kryeministri.
Berisha u pyet më tej në lidhje me mungesën e tij në darkën e natës së parë dhe deklaroi se mungoi për arsye personale. I pyetur më tej se në rast se pas qershorit do të jetë ende Kryeministër, kush do të vijë në takimet e NATO-s, Kryeministri apo Presidenti, Berisha tha: “Në Shqipëri pushteti ekzekutiv është i Kryeministrit dhe për koincidencë është i nevojshëm të përfaqësojë vendin aty ku diskutohet për vendime ekzekutive. Dhe kjo është arsyeja që vij këtu. Ke mbi 4/5 kryeministra dhe një pakicë, e cila nuk ka asnjë të keqe. Nuk ishim vetëm ne këtu President dhe Kryeministër, ishin dhe çekët, ishin dhe kroatët. Pra, absolutisht nuk është një thyerje protokolli”.
Pjesë e konferencës për shtyp ishte dhe Kosova. Berisha tha se rast se Aleanca vendos për kontributin me trupa të Shqipërisë në Kosovë, qeveria nuk do të hezitojë. “Nuk kam informacion se KFOR-i ka nevojë për trupa shtesë në Kosovë. Ju e shihni që qeveria e Kosovës dhe institucionet e këtij vendi, Forcat e Sigurisë së Kosovës, po ecin me shpejtësi drejt konsolidimit dhe marrjes së roleve që u takojnë. Ndaj, për sa i përket Shqipërisë, edhe një herë do të theksoj se është e gatshme të marrë përsipër çdo vendim që vjen nga kjo Aleancë dhe në përputhje me kërkesat e saj”, - deklaroi Berisha. Për sa u përket çështjeve të tjera të samitit, Berisha tha se Shqipëria ka mirëpritur strategjinë amerikane për Afganistanin si dhe ka miratuar kandidaturën e Rasmusenit për Sekretar të NATO-s.