Zotime para Vishegradit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka pritur në takim drejtorët politikë të Forumit të Vishegradit, të kryesuar nga Pavel Fischer- drejtor politik në Ministrinë e Jashtme çeke, Peter Michalko- drejtor politik në Ministrinë e Jashtme sllovake, Peter Sztaray- drejtor politik në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë, si dhe Jaroslaw Bratkiewicz- drejtor politik në Ministrinë e Jashtme të Polonisë.
Gjatë këtij takimi, është folur për perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun teknik dhe rreth bashkëpunimit mes këtij forumi dhe Qeverisë së Kosovës.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Zëvendëskryeministres, Tahiri ka folur për rrugën e Kosovës drejt një shtetndërtimi demokratik duke thënë se Kosova po angazhohet për një frymë europiane.
“Ajo theksoi se prioritetet e Kosovës në këtë vit janë të punojnë në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përshpejtimin e integrimeve euroatlantike”, ka thënë Tahiri.
Sa i përket dialogut, Tahiri ka thënë se ky është një dialog teknik dhe se zbatimi i plotë i marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe tregtinë e lirë mund të arrihet vetëm me heqjen e barrikadave dhe strukturave paralele.
Ndërkaq, në komunikatë thuhet se të gjithë drejtoret e këtij forumi e përkrahen perspektivën e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit në Bashkimin Europian, ndërsa u quajt si një ditë e rëndësishme nisja e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ata thanë se forumi i Vishegradit mund të jetë një model për avancimin e bashkëpunimit rajonal.