Zgjedhje për kryetarin e komunës së Rahovecit
Në komunën e Rahovecit të dielën u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës.
Gara për të parin e qytetit zhvillohet ndërmjet kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu dhe atij të Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi.
Përsëritja e zgjedhjeve në këtë komunë erdhi pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi se kryetari fitues i zgjedhjeve të vitit 2009, Qazim Qeska nga Partia Demokratike e Kosovës, kishte shkelur Kushtetutën duke u kthyer në punë 47 ditë pasi që kishte ofruar dorëheqjen.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se po blen vota në zgjedhjet e balotazhit për kryetar të komunës së Rahovecit.
Sipas LDK-së, vëzhgues të AAK-së janë parë duke blerë vota për kandidatin e kësaj partie për kryetar të Rahovecit, si dhe thuhet se janë shpërndarë mbushje nëpër qendra të votimit dhe është kërkuar që të votohet kandidati i AAK-së.
Ndërkaq, përmes konferencave për shtyp, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se rrjedha e deritanishme e procesit zgjedhor është normale dhe nuk është raportuar asnjë incident.
Drejtori për informacion i AAK-së, Besnik Tahiri, ka ftuar qytetarët e Rahovecit që të dalin në numër sa më të madh, “duke i dhënë kështu një shtytje demokracisë dhe rrjedhave normale të krejt procesit zgjedhor për kryetar të komunës”.
Gara e balotazhit për kryetar të komunës së Rahovecit zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së, Ibrahim Kryeziu dhe atij të AAK-së, Smajl Latifi.