E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvarriten punimet në terminalin e pasagjerëve në port, në dyshim përfundimi brenda afatit

Përfundimi i terminalit të ri të pasagjerëve në portin e Durrësit, kërkon edhe 10 muaj nga afati i përcaktuar, por dita e përfundimit të kompleksit i projektuar për të qenë gati në pranverën e vitit të ardhshëm realisht duket ende shumë larg. Punimet për ndërtimin e terminalit që i kushton shtetit tonë 15.2 milion euro janë zvarritur ndjeshëm dhe momentalisht firma sllovene është duke punuar akoma për shtrimin dhe betonizimin e bazamentin ku do të ngrihet kompleksi me disa ndërtesa. Firma sllovene SCT d d ka nisur punimet për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve në muajin qershor të vitit 2008 dhe sipas kontratës punimet duhet të mbyllen në prill vitit 2010. Deri tani punimet kanë ecur me ritme të ngadalta dhe sipas pohimeve nga firma mësohet se një gjë e tilla ka ndodhur ngaqë në projekt nuk janë parashikuar disa nga zërat e rëndësishëm. Në të tilla kushte kompania është detyruar të ulë ritmin e punës dhe paralelisht të presë edhe një përgjigje. Terminali i pasagjerëve është pjesë e investimit nga ana e Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH në sajë të kredisë së akorduar qeverisë shqiptare.Punimet për ndërtimin e terminalit janë marrë përsipër të zbatohen nga firma sllovene SCT d.d, e cila fitoi tenderin me një vlerë prej 15.2 milion euro. Tenderi i fituar nga firma sllovene, e njohur dhe me përvojë të konsideruar i ka kursyer shtetit shqiptar afro 7 milion euro pasi fondi limit për këtë projekt është llogaritur në 22 milion euro. Afati i punimeve është 22 muaj, ndërkohë që presidenti i firmës sllovene Ivan Znedar, i cili ka qenë i pranishëm bashkë me kryeministrin Sali Berisha në ditën e inaugurimit të fillimit të punimeve në 16 qershor 2008, ka premtuar se punimet për ndërtimin e terminalit do të përfundojnë brenda afatit të caktuar. Megjithëse ka kaluar plot një vit nga nisja e punimeve, në kantierin e ngritur nga firma sllovene është punuar vetëm në periudha të shkurtra kohore. Aktualisht në këtë kantier është duke u punuar për ndërtimin e bazamentit ku do të ngrihen më pas ndërtesat që janë projektuar për kompleksin e terminalit të pasagjerëve. Terminali do të sigurojë lëvizjen komode dhe me shpejtësi të pasagjerëve, veçanërisht në periudhën e mbingarkuar të verës. Ai do të ketë një kapacitet përpunimi të menjëhershëm për rreth 2 mijë pasagjerë, me një parkim për rreth 2 mijë automjete. Krahas ndërtimit të terminalit të pasagjerëve dhe godinave të tjera ndihmëse të shërbimit doganor dhe të sigurisë, parashikohen edhe punimet për ndërtimin e shesheve e rrugëve lidhëse në zonën e operimit të trageteve. Në total janë parashikuar që të shtrohen me beton 63 mijë metër katror sipërfaqe, ndërkohë që në përfundimin e terminalit, mendohet që numri i pasagjerëve që do të përpunohen në një vit ta kalojë shifrën e 1 milion vetëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›