E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meloditë muzikore pushtojnë Himarën

Megjithëse ka kaluar vetëm java e parë e korrikut të nxehtë dhe nuk është shuar ende jehona shurdhuese e fushatës elektorale, që duket se është mbyllur përkohësisht, Himara , qyteti periferik i Qarkut të Vlorës, ashtu më vete jashtë vëmendjes së mediave dhe politikbërësëve të strategjive të turizmit përjeton ditët e saj të mbushura me pushues, që shijojnë larg qyteteve të zhurmshëm dhe metropolit qetësinë Joniane deri në mbrëmjen e vonë aty pranë valëve dhe rrezeve në perëndim të diellit të korrikut. Qyteti në këtë të mërkurë përjetoi zgjimin e sezonit turistik që ka trokitur. Dhe për ta bërë më të shijshme ofertën turistike të këtij viti, Kryebashkiaku Vasil Bollano dhe drejtoria e turizmit e kësaj administrate kanë bashkërenduar e koordinuar punën me drejtorin Artistik të Festivalit të Orkestrave Frymore ,që zhvillohet në Sarandë z.Edmond Doko,të planifikojë disa ditë shfaqje edhe në qytetin e Himarës. Ky eveniment ka bërë që qendra e qytetit të Himarës të ushtojë nga meloditë e orkestrës frymore të ardhur nga Lefkadha , Greqi dhe Fanfara e Tiranës, që një natë më parë në Sarandë u mbulua me duartrokitje dhe thirrje entuziaste. Koncerti i Filarmonisë së qytetit të Lefkadhës megjithëse përbëhej , kryesisht nga mosha e re e pa ndonjë eksperiencë e përvojë koncertore, sipas specialistëve të fushës, tërhoqi vëmendjen për disiplinën e lartë artistike dhe profesionale, që dhuroi suksesin në paraqitjen e parë para shikuesve të shumtë himariot dhe pushuesve që e ndoqën me interes shfaqjen. Me ngjitjen në skenë të trupës së njohur të Fanfarës së Tiranës drejtuar nga i mirënjohuri trompist Xhemali Muarraj, duartrokitjet shoqëruan gjatë gjithë koncertit ritmin e melodive, por spektatorët të lidhur dorë më dorë me njëri tjetrin e kthyen sheshin e qytetit në një piste të stërmadhe, ku çdo gjë ishte pushtuar nga magjia e tingujve të veglave të frymës. Pas shfaqjes dirigjenti Lefkadhas Thanasis Micuras, u shpreh i kënaqur me cilësinë e trupës shqiptare të Fanfarës së Tiranës, duke i vlerësuar instrumentistë virtuozë pjesëtarët e kësaj trupe. Ndërsa Xhemali Murraj i falënderoi pjesëtarët e trupës greke për cilësinë dhe korrektësinë e interpretimit në instrumente të artistëve të Filarmonisë së Lefkadhës, e cila ka një histori shumë të pasur dhe përvojë të nisur qysh në vitin 1850, menjëherë pas revolucionit që solli pavarësinë e Greqisë. Himara provoi një mbrëmje të mbushur me melodi ballkanase, ndërsa banorët dhe pushuesit e saj do të ruajnë gjatë në kujtesë emocionet e kësaj nate të magjishme në përjetësimin e traditës dhe miqësinë mes njerëzve dhe popujve me diversitet kulturash, por që punojnë për rritjen e frymës së miqësisë dhe vëllazërisë mes tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›