E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvarritet deklarimi online i punëtorëve

Paratë janë paguar nga amerikanët e USAID që prej tre vitesh, por qeveria shqiptare nuk po mundet të vërë në zbatim një nga projektet që ka lidhje me biznesin. Bëhet fjalë për deklarimin online të punonjësve me degën qendrore të tatimeve në Tiranë. Shkaqet janë mosmarrëveshjet që Drejtoria e Tatimeve ka me drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), sa i takon përbërjes së grupeve të punës. Projekti është financuar në kuadër të Pragsfidës së Mijëvjeçarit dhe konsiston në rritjen e bashkëpunimit mes tatimeve dhe biznesit, uljen e evazionit dhe rritjen e luftës ndaj korrupsionit. Në rast se palët brenda shtetit nuk gjejnë zgjidhje, atëherë rrezikohet që projekti të digjet. Ndërkaq, sa i takon biznesit, ai shprehet se deklarimi online i punonjësve ka kosto dhe risk për shkak se fluksi është shumë i madh. Llogaritet se rreth 25 për qind e punëtorëve lëviz nga njëri-vend në tjetrin brenda një harku të shkurtër kohor. Lidhur me masën e re të gjobave për kontributet e papaguara, shuma deri në 10-fish gjykohet si masë tepër e rëndë, aq më tepër që tregu i punës nuk ka stabilitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›