E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bentler: Ulja e trupave të KFOR-it nuk na dobëson

"Reduktimi i trupave në janar nuk do ta zbehë aftësinë vepruese të KFOR-it", tha në një intervistë për Radio Blue Sky (RTK) komandanti i misionit ushtarak, Markus Bentler. Gjenerali gjerman tha se zvogëlimi i numrit të ushtarëve është në përshtatje me gjendjen e krijuar në Kosovë, e cila sipas tij ka përmirësim të jashtëzakonshëm. Komandanti i KFOR-it e vlerëson pozitivisht zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa u bën apel serbëve të bëhen pjesë e kësaj force. Duke vlerësuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë në këtë fundvit, gjenerali Bentler tha se "ndoshta qytetarët e Kosovës nuk e vërejnë progresin që është bërë, sepse ata jetojnë këtu dhe është në natyrën e njeriut të mos e vërejë këtë. Por, kur vini nga jashtë pas një periudhe kohore dhe e vëreni atë që është arritur këtu, atëherë e shihni se është një e arritur e jashtëzakonshme".

Për reduktimet e paralajmëruara të forcave të KFOR-it, komandanti Bentler ripërsëriti se "ne do ta zvogëlojmë numrin e ushtarëve në 10 mijë në janar të vitit të ardhshëm, do t‘i mbyllim disa kampe. Do të kemi në dispozicion më shumë forca manovruese sesa logjistike. Do të bëjmë gjithçka për t‘u bërë efektiv dhe organizatë e gatshme për veprim. Ky është fokusi im kryesor. Do të dëshiroja t‘ju them qytetarëve të Kosovës se ne vazhdojmë të qëndrojmë këtu miq dhe partnerë të njerëzve në Kosovë, ende të aftë, ende të gatshëm për reagim të shpejtë... KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë këtu dhe ne do të jemi në gjendje gatishmërie". Në intervistën për Radio Blue Sky, gjenerali Bentler rikujtoi mbylljen e kampit "Pllana" afër Vushtrrisë dhe bëri të ditur se së shpejti do të "mbyllim kampin "Ollaf Rye", që është afër Mitrovicës. E kemi dorëzuar para pak kohësh një pjesë të kampit "Vrello" për Policinë e Kosovës. Do t‘i mbyllim edhe disa kampe në jug dhe në pjesën qendrore. Pyetjes se "nga vjen rreziku më i madh për Kosovën nga këndvështrimi juaj", Bentler theksoi se ai "nuk vjen nga jashtë, sepse kam dëgjuar kohëve të fundit spekulime dhe shqetësime nga njerëzit këtu për mundësinë e rrezikut që mund të vijë nga Serbia, për shkak të ndërtimit të bazave të reja. Jam shumë i bindur dhe e kemi theksuar disa herë se rreziku nuk vjen nga jashtë dhe vërtet ajo është diçka që nuk ndodhë. Nëse e kemi ende një rrezik brenda në Kosovë, kjo është për shkak të ndonjë tensioni etnik që ende e kemi mes grupeve të ndryshme etnike. Besoj që ende ka disa frustrime në popullatë për shkaqe ekonomike, për shkak të mungesës së furnizimit të plotë me energji që e kemi parë në këtë kohë dhe këto i çojnë njerëzit në trazira. Por, besoj që gjithçka e kësaj natyre që mund të ndodhë, mund të kontrollohet si duhet në një bashkëpunim të mirë mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it. Unë nuk shoh, p.sh., se mund të ndodhë një përsëritje e dhunës që pamë në pranverë të vitit 2004".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›