"Mos e njihni as vitin 2010"
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, u ka dërguar letër ministrave të Jashtëm të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës me kërkesën që të mos e ndryshojnë këtë qëndrim deri në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ministri serb i Punëve të Jashtme ka shkruar se është hera e parë që GJND shqyrton ligjshmërinë e përpjekjes së njëanshme të një pakice etnike për t‘u shkëputur nga një shtet anëtar i OKB-së, në kundërshtim me Kushtetutën e tij. "Përfundimet e gjykatës do të prodhojnë një precedent të fuqishëm me pasoja të gjera për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare", thuhet në letrën e Jeremiç, e publikuar në mediat serbe. Sipas Jeremiçit, GJND do të duhej të punojë "e papenguar nga presionet politike siç janë njohjet e reja për pavarësinë e njëanshme të Kosovës".
Diplomacia serbe ka shpresuar që procesi në GJND, jo vetëm që do të ngadalësojë njohjet për pavarësinë e Kosovës, por do t‘i bllokojë tërësisht. Megjithatë, pas çdo faze të procesit në Hagë ka pasur njohje të Kosovës, siç është njohja e fundit nga Malavi.