E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Shkupit dublon Blerim Rekën

Qeveria maqedonase ka dërguar edhe një diplomat shtesë në ambasadën e Maqedonisë në Bruksel. Dragan Tilev nga sekretariati për eurointegrim do të jetë në pozitën e ministrit-këshilltar në kuadër të misionit të Maqedonisë në Bashkimin Europian, ku ambasador është Blerim Reka, ish-gazetari i BBC-së në gjuhën shqipe. Ky vendim nga analistët në Maqedoni është konsideruar edhe si një tentim për t‘i nënçmuar politikanët shqiptarë nga qeveria e Maqedonisë. "Mendoj se një dërgim i tillë nga qeveria e Maqedonisë, si ndihmë për ambasadën në Bruksel është i panevojshëm. Ambasadori shqiptar, Blerim Reka, është një profesionist i vërtetë që e njeh shumë mirë punën e tij dhe ka një bagazh të madh me merita në këtë lëmi", tha juristi Osman Kadriu. Sipas tij, ky veprim i maqedonasve është vetëm një tentim për t‘i nënçmuar politikanët shqiptarë. "Nën qëllimin e ndihmës, ata i nënçmojnë shqiptarët. Sidomos ku në pozita të ndryshme relevante janë personalitete shqiptare", tha Osmani. Sqarimi zyrtar i qeverisë së Maqedonisë të Tilevit në këtë funksion, është që të përforcohet kapaciteti i misionit të kësaj ambasade si pikë kryesore që ta fusë Maqedoninë në BE. Maqedonia përkrah ambasadorin shqiptar, Blerim Reka, që para disa muajsh dërgoi edhe një të dërguar special për Bashkimin Europian, Dejan Gjorshoski, i cili nevojitet të afirmojë Maqedoninë para vendeve të BE-së.

Edhe në kohën kur Gjorshoski u vendos në këtë pozitë u shtuan dilemat se nëse kjo është vetëm një ngushtim i diapazonit të veprimit të ambasadorit Reka. Analistët atëherë theksuan se ai është i tepërt pasi, nuk i jep raport ambasadorit por qeverisë.

Analisti Kadriu pohon se edhe vendosja e Tilevit është vetëm një tentim për ta shpërfillur pozitën e Rekës. "Personalisht më befasojnë veprimet e qeverisë dhe të MPJ-së që në këtë metodë t‘i zëvendësojnë, ose zbehin pozitat e shqiptarëve. Kjo është edhe një tregues se në Maqedoni, si në politikën e brendshme dhe të jashtme, kur bëhet fjalë për poste kyçe, ekziston një rezervë e shtuar", tha Kadriu. Jozyrtarisht mësohet se Tilev në të ardhmen mund të jetë negociatori kryesor për bisedime me BE-në, nëse Maqedonia fiton datën për hyrje në Bashkimin Europian.

Dy të dërguarit e qeverisë, Tilev dhe Gjorshevski, kanë punuar edhe më herët bashkë në kuadër të sekretariatit për eurointegrime, të cilën e ka udhëhequr vetë Tilev. Analisti Kadriu i ka bërë apel partisë shqiptare në Bruksel që të tregohet më e aftë në mbrojtjen e kuadrove të saj dhe në përgjithësi, interesit shqiptar. Ambasadori shqiptar në Bruksel, Blerim Reka, në një deklaratë për mediat, nuk ka dashur të komentojë dërgimin e fundit të Tilevit. "Për këtë çështje le të komentojnë ata të cilët e kanë emëruar. Aktualisht jam në pushime dhe pasi të kthehem do të vazhdojmë punën tonë", tha Reka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›