Biznesi përgatit vetë paketën fiskale
Viti 2010 rrezikon të jetë më i egër për biznesin vendas, ndaj ekonomistë pranë firmave të ndryshme po nxitojnë të bëjnë llogaritë. Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve ka nisur me kohë hartimin e një pakete fiskale, për t‘ia dorëzuar pastaj Kryeministrit Sali Berisha. Për çdo propozim në rishikimin e taksës do të llogaritet efekti financiar minus për buxhetin e shtetit dhe do të krahasohet me efektin që jep për biznesin. Në këtë pikë, qeveria do të bëjë vlerësimin se nëse ulja e taksës ia vlen apo jo. Një nga kërkesat kryesore të biznesit fason është heqja e taksës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Brenda kësaj pakete që pritet të publikohet në fillim të muajit janar, do të vihen të gjithë treguesit ekonomikë të sipërmarrjes private në fushën e industrisë së tekstileve. Në vendin tonë e ushtrojnë aktivitetin e fasonit rreth 400 ndërmarrje, me gati 100 mijë të punësuar. Pavarësisht ndikimit që jep në ekonomi, qeveria nuk ka gjetur një zgjidhje në favor të plotë për prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve. Eksportet e fasonit (veshje dhe këpucë) shënuan 60 për qind të totalit të eksporteve shqiptare për vitin 2008. Eksportet e veshjeve zunë 44 për qind të eksporteve të fasonit, kurse eksportet e këpucëve vetëm 28 për qind. Industria e përpunimit të këpucëve ra gjatë vitit 2008 me 7 për qind, krahasuar me vitin 2007.