Prindi rreh mësuesin kujdestar të së bijës
DHUNA/ Halit Leska dhunoi mësuesin pasi ky i fundit nuk lejoi të bijën të futej në mësim
Policia ndaloi prindin, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "fyerjes e kanosjes për shkak të detyrës"
KORÇË - Babai rreth mësuesin, pasi vajza i shkon në shtëpi duke qarë, sepse nuk e kishin pranuar në mësim. Ngjarja ka ndodhur ditën e premte, ndërsa policia ka vënë në pranga Halit Leskën, banor i fshatit Voskop të rrethit të Korçës, njëkohësisht prindi i nxënëses të përzënë nga ora e mësimit.
***
Pasi nxënësja e klasës së gjashtë nuk është paraqitur për disa ditë në shkollë, kujdestari i klasës, Thomaq Renxha, ka vendosur që të mos e pranojë në orën e mësimit, duke kërkuar që vajza të paraqiste një justifikim nga prindërit për mungesat e saj. Pas kësaj 12-vjeçarja i është drejtuar shtëpisë duke qarë, ku është pritur nga i ati. Me të mësuar për mospranimin e mësuesit kujdestar dhe kërkesën e tij që vajza të shoqërohej nga prindërit për të justifikuar mungesat, Halit Leska i është drejtuar shkollës ku mësonte e bija dhe ka nisur një debat me 55-vjeçarin Renxha për mospranimin e 12-vjeçares në shkollë. Debati prind-mësues është zhvilluar në oborrin e shkollës dhe pas mossqarimit me fjalë, babai i nxënëses e ka rrahur përpara shkollës mësuesin kujdestar të së bijës.
***
Pasi është goditur nga prindi i nxënëses së vet, mësuesi kujdestar Thomaq Renxha ka kryer edhe denoncimin përkatës në polici ndaj babait dhunues. Përpara uniformave blu ai ka rrëfyer lidhur me mungesën e 12-vjeçares për 4-5 ditë në shkollë dhe pretendimin e tij të drejtë që nxënësja të sillte prindin për të justifikuar mungesat. Por pasi ka mbërritur në shkollë babai ka qenë i shqetësuar vetëm për lotët e së bijës, ndërsa e ka quajtur të padrejtë vendimin e mësuesit për ta larguar atë nga shkolla deri në një justifikim të mungesave. Kështu, zgjidhja "me dru" e çështjes ka bërë që Renxha t'i drejtohet policisë, ndërsa blutë kanë vendosur ndalimin e shtetasit Halit Leska, ndërsa ndaj këtij të fundit është ngritur akuza e "fyerjes dhe kanosjes për shkak të detyrës". Dhuna e ushtruar nga prindërit e nxënësve kundrejt mësuesve jo rrallë është kthyer në një problem shqetësues, sidomos në fshatra, ku herë pas here mësimdhënësit provojnë edhe "stresin" e prindërve.