Zvicer, tifozët me manual kundër infarktit
Fondacioni Zviceran i Zemrës ka publikuar një broshurë në të cilën i këshillon tifozët si të shmangin një infarkt në momente stresi gjatë ndeshjeve të EURO 2008. Broshura ka një titull mjaft të veçantë, "1-0 për zemrën" dhe është përkthyer në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht. Në të shkruhet për shqetësimet që mund të sjellë stresi, konsumi i tepërt i alkoolit, pirja e duhanit, apo ushqimet me shumë kalori. Tifozëve që ndjekin takimet para televizorit në kolltukun e shtëpisë, u këshillohet që të vrapojnë në dhomë gjatë pushimit të ndeshjeve apo të blejnë një biçikletë aerobie. Manuali kundër u botua pas një studimi të kryer gjatë Botërorit 2006, ku u arrit në përfundimin se stresi i ndjekjes së një ndeshjeje dyfishonte rrezikun e problemeve kardiovaskulare. Broshura u shpërnda me shpejtësi mes zviceranëve, pasi kjo kombëtare humbi ndeshjen e parë me Çekinë.