E Shtunë, 31 Tetor 2026

David Vija: Këtë radhë nuk do të dështojmë

Sulmuesi i Spanjës, David Vija, është optimist për shanset e kombëtares së tij për të arritur në finalen e EURO 2008, ndërsa dëshiron që ta fillojë turneun me një fitore përballë Rusisë në ndeshjen që do të luhet në Insbruk. Lojtari i Valencias ka vendosur që t‘u japë fund të gjitha thashethemeve të merkatos, duke u përqendruar vetëm tek aktivizimi me kombëtaren e tij në turneun që zhvillohet në Austri dhe Zvicër. Pas një sezoni shumë zhgënjyes me klubin e tij, Vija mendon se ai është tashmë në formën më të mirë fizike dhe beson se ekipi ka mundësi të arrijë deri në fund në këtë turne.

"Unë jam i bindur se ne mund të arrijmë në finale dhe do të zhvillojmë një turne të shkëlqyer. Kemi qenë bashkë si skuadër për shumë vite dhe unë mendoj se kemi krijuar një grup të bashkuar lojtarësh. Duhet të kesh besim në turne të tilla, pasi një gjë e tillë të sjell edhe golat. Unë e mbylla sezonin mirë me klubin tim dhe shpresoj që ta vazhdoj këtë formë edhe me Spanjën. Në pjesën e parë të sezonit kalova disa dëmtime, por tani jam fizikisht shumë mirë, në formë më të lartë se pas disa sezoneve të mëparshme ku luaja 55 ndeshje në vit", deklaroi ai.

Sipas Vijës, rezultati ndaj Rusisë është shumë i rëndësishëm, pasi ndeshja e parë gjithmonë kushtëzon paraqitjen edhe gjatë takimeve të tjera të grupit. "Çelësi i kualifikimit është të fitojmë kundër Rusisë, pasi janë vetëm tre ndeshje dhe të fitosh të parën të siguron një avantazh të ndjeshëm ndaj rivalëve. Gabimet në mbrojtje? Kritikat ndaj lojtarëve të këtij reparti kanë qenë shumë të padrejta. Unë jam dakord me atë që ka thënë Fernando Torres pak ditë më parë, se fitojmë të gjithë dhe humbasim të gjithë. Nëse ne pësojmë gol, kjo vjen sepse ne sulmuesit nuk kthehemi prapa për të ndihmuar mbrojtjen në momentet e vështira. Karles Pujol dhe Karlos Marçena janë lojtarë me shumë eksperiencë dhe futbollistë të jashtëzakonshëm", përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se ekipi spanjoll ishte më i bashkuar se kurrë para fillimit të këtij aktiviteti. Po Vija nuk ka preferuar të komentojë deklaratën e Fernando Torres, i cili shpresonte që edhe te Spanja të luante i vetëm në sulm. Gjithsesi, trajneri Aragones ka vendosur që në ndeshjen e hapjes të skuadrës së tij ndaj Rusisë të përdorë rreshtimin 4-4-2, me Vijën e Torres, së bashku në repartin e avancuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›