E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra e fortë

Edhe pse konsiderohet arma kryesore e Zvicrës në Kampionatin evropian U-21, Xherdan Shaqiri thotë se komplet ekipi ka kualitete të mëdha. Mesfushori kosovar është bërë cak i mbrojtësve kundërshtarë të cilët e dyfishojnë në çdo kontakt me topin. Por 19-vjeçari tregon se si i la ata të shtangur kur shënoi golin e fitores 1-0 në ndeshjen e parë kundër Danimarkës nikoqire. Nga Express më 14 qershor 2011 në ora 08:30

Xherdan Shaqiri e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme Kampionatin evropian U-21, Mesfushori kosovar i Zvicrës shënoi golin e fitores 1-0 kundër Danimarkës nikoqire në ndeshjen e parë të grupit A.

Mediet evropiane kanë lavdëruar paraqitjen e Shaqirit i cili përmbushi parashikimet fillestare se do të jetë njëri prej yjeve kryesorë të garës. 19-vjeçari është arma kryesore e ekipit të selektorit Pierluigi Tami dhe barra kryesore e skuadrës bie mbi supet e tij.

“Po, mund të thuhet ashtu. Por, nuk jam paraqitur mirë vetëm unë, por i gjithë ekipi. Kam qenë në gjendje të integrohem shpejt dhe mendoj se edhe ju e keni vërejtur këtë gjatë lojës. Sigurisht se e kam ndjerë pak presionin, por kur luani në nivel të mirë, ne mund të shkojmë shumë larg. Ne duhet të vazhdojmë përpara”, tha Shaqiri për NZZ Online.

Ndeshja me Danimarkën tregoi se skuadrat kundërshtare kanë filluar të aplikojnë taktit të veçantë defensive ndaj Shaqirit. “E kam vërejtur sigurisht, shpeshherë janë munduar të më ndalin me çdo kusht me ndërhyrje të palejuar. Në momentin që e kam pranuar topin menjëherë jam sulmuar nga dy futbollistë. Ishte diçka e re dhe e pazakontë për mua. Por, ne jemi një grup i fortë. I kemi mposhtur danezët së bashku dhe kjo është me rëndësi”, shtoi ai.

Mesfushori i Baselit përshkroi momentin e golit të tij të shënuar në një solodepërtim.
“Ishin tre ose katër futbollistë danezë rreth meje. Më herët kisha provuar tri-katër herë me goditje nga 20 metra. Por, ato nuk përfunduan me sukses dhe pasi mora topin, mendova të dribloj dhe në fund pata sukses”, vazhdoi ai.

Ndeshjen e përcolli edhe selektori i skuadrës sendore, Ottmar Hitzfeld, i cili nuk e ka të panjohur Shaqirin meqë e ka ftuar atë edhe me ekipin e parë, me të cilin ishte titullar në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2012, kundër Italisë që përfundoi në barazim 2-2.

“E njoh pak më mirë se futbollistët e tjerë të ekipit U-21. Për shumicën e bashkëlojtarëve të mi, ai është njeri i veçantë. Hitzfeld mban fjalim para ndeshjes dhe kjo është motivim i madh. Vizita e tij ishte me rëndësi”, përfundoi Shaqiri. Zvicra ndeshjen e radhës në Kampionatin evropian U-21 e zhvillon të martën kundër Islandës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›