E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeremiç: Kemi garanci se plani gjashtëpikësh nuk do të ndryshojë

 

“Serbisë i janë dhënë garanci se plani gjashtëpikësh nuk do të ndryshohet”. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili ka thënë se seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën me siguri do të mbahet të hënën apo të martën e ardhshme. Ndërkohë, Presidenti serb Boris Tadiq ka deklaruar se Serbia ka bërë gjithçka të mundur për të arritur marrëveshjen gjashtëpikëshe në Kosovë, dhe pret që “në periudhën e ardhshme ajo të implementohet”. Sipas Tadiç, marrëveshja ruan integritetin dhe të drejtat legjitime të të gjithë të interesuarve “në këtë konflikt historik që po ndodh në Kosovë”. Po kaq i bindur për shtrirjen e EULEX-it, sipas planit 6-pikësh të propozuar nga Ban Ki Moon dhe Beogradi, është shprehur dhe sekretari shtetëror për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviq. Sipas tij, shtrirja e EULEX-it në Kosovë do të varet nga marrëveshja me Kombet e Bashkuara. Ivanoviq është shprehur se EULEX-i do të vendoset me siguri në fillim të dhjetorit në Kosovë. Ndërkohë që sipas tij statusi i këtij misioni në zonat e banuara me serbë do të varet nga OKB. “EULEX-i nuk mund të implementohet në mjediset ku jetojnë serbët; natyrisht që do të kundërshtojmë vendosjen e këtij misioni me mjete paqësore”, thotë Ivanoviq, për të shtuar se EULEX-i nuk mund të ketë përparësi ndaj UNMIK-ut. Lidhur me refuzimin që Prishtina i bëri planit gjashtëpikësh të Kombeve të Bashkuara, të cilin Serbia e pranoi, Ivanoviq ka shtuar se Kosova me situatën ekonomike në të cilën ndodhet për momentin, nuk është në gjendje të kundërshtojë vendimet e Bashkimit Evropian.
Zyrtarët serbë kanë deklaruar dhe më parë se do ta pranojnë vendosjen e EULEX-it në Kosovë, nëqoftëse misioni miratohet nga Kombet e Bashkuara, nëse do të jetë neutral ndaj statusit dhe nëse nuk e zbaton planin e Ahtisaarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›