Zjarr në parkun e Ministrisë së Brendshme, shkrumbohen 50 mjete
TIRANE - Plot 50 mjete të bllokuara nga policia janë shkrumbuar nga flakët në parkun e Ministrisë së Brendshme. Zjarri i fuqishëm, që mendohet se ka qenë i qëllimshëm shpërtheu dje në mesditë në park dhe shkaktoi djegien e të gjitha makinave të bllokuara nga Policia Rrugore. Dëmet e zjarrit të pazakontë llogariten në shuma të konsiderueshme që bien në kurriz të qytetarëve, të cilëve u janë bllokuar përkohësisht automjetet për mungesa të dyshuara dokumentacioni. Burime policore pohuan dje se të paktën 50 makina, që ishin parkuar pas bllokimit nga ana e qytetarëve për mungesë dokumentacioni, u përfshinë nga flakët, që shpërthyen për shkaqe ende të paqarta. Po kështu funksionarë të Repartit të Mbrojtjes kundër Zjarrit, pohojnë se dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme mbeten të forta. Sipas tyre, bëhet fjalë për të paktën 50 automjete të djegura plotësisht nga një zjarr, që pikënisjen e kishte në vendparkimin e parkut të Ministrisë së Brendshme, ndoshta në një nga makinat e bllokuara. Ky parku ndodhet në Unazën e Re, përpara vendit të quajtur pallatet me shigjeta dhe zjarri është afruar shumë dhe te pallatet ngjitur me parkun. Fatmirësisht flakët kanë kursyer pallatet e banimit, ndërsa ka qenë e pamundur të shpëtoheshin mjetet të cilat sipas policisë u përfshinë nga flakët njëra pas tjetrës në një kohë rekord. Ende nuk dihet se si do të veprohet me dëmshpërblimin e qytetarëve të dëmtuar, por paraprakisht pohohet se një pjesë e mjeteve të bllokuara aty ishin prodhime të viteve të fundit, ose e thënë ndryshe të kushtueshme. Ndërsa pohohet se bllokimi i tyre është bërë kohët e fundit nga policët e qarkullimit nëpër rrugët e kryeqytetit.