Shkodër, nisin verifikimet për sigurinë e pallateve në ndërtim
SHKODER - Inspektorati Ndërtimor nis verifikimin e sigurisë teknike të pallateve, që po ndërtohen në Shkodër. Ky kontroll është i përqendruar kryesisht në dokumentacionin teknik të këtyre objekteve si dhe zbatimin e tyre konform me lejen e ndërtimit. Sipas Roland Çomos, drejtori i këtij inspektorati, aksioni ka përfshirë rreth 24 pallate, të cilat janë në ndërtim e sipër. Prej tyre janë bllokuar punimet në 5 objekte, për mangësi dokumentacioni. Më tej, Çomo sqaron se Inspektorati Ndërtimor do të ushtrojë kontroll në disa drejtime: zbatimi i lejes së ndërtimit, kushtet teknike, numrin e punonjësve, kushtet e punës, cilësia e materialeve, etj. Rreziku i ndërtimeve pa kriter, si dhe devijimi nga lejet e marra në KRRT-në e bashkisë mund të jetë i pranishëm edhe në Shkodër. Për t’i paraprirë ndonjë situate të padëshiruar është ndërmarrë një fushatë e tillë kontrolli. Sipas specialistëve shkodranë të ndërtimit një kujdes të veçantë duhet t’i kushtohet ndërtimeve në zonën pranë liqenit të Shkodrës. “Shqetësimi kryesor është faktori sizmik, pasi në afërsi të ujërave ose liqenit të Shkodrës po ndërtohen pallate shumëkatëshe. Nëse do të ketë tërmete deri në 8 ballë rrezikohet lëngëzimi i tokës dhe shembja e pallateve, pasi e tillë është përbërja e nëntokës në atë zonë. Prandaj një vëmendje të madhe duhet t’i kushtohet zbatimit pikë për pikë të parametrave, që kanë parashikuar specialistët konstruktorë në realizimin e këtyre objekteve, si dhe ballafaqimin e tyre gjatë ndërtimit me dokumentacionin e dorëzuar pranë sekretarisë teknike të KRRT-së”, shprehet kreu i Inspektoratit. r.d