Al Qaeda: Obama shërbëtor zezak
Al Qaeda kërcënon Presidentin e ri amerikan, Barak Obama. Me anë të një videoje numri 2 i organizatës terroriste, e lidhur me fondamentalizmin islamik, egjiptiani Ayman Al Zawahiri ka kritikuar numrin 1 të Shtëpisë së Bardhë se mbron interesat e hebrenjve dhe e ka cilësuar atë “shërbëtor zezak”. Mesazhi është komenti i parë publik i Al Qaeda, pas zgjedhjeve në SHBA. Al Zawahiri ka shtuar se plani i Obamës për të tërhequr trupat nga teatro të tjera lufte, për “t’i drejtuar në Afganistan është i destinuar të dështojë, sepse afganët do të rezistojnë”. Në video fjalët shoqërohen nga imazhe të numrit 2 të Al Qaeda, Malcolm X duke u lutur dhe të Obamës në takimin me liderët hebrenj. “Nëse do të bësh kokëfortin, për sa i përket dështimit të amerikanëve në Afganistan, atëherë kujto fatin e Bushit dhe Pervez Musharrafit. Por dhe fatin e sovjetikëve dhe britanikëve përpara tyre”, ka shtuar ai, duke ju referuar kështu invazionit sovjetik (1979-89) dhe dominimit britanik. Ndërkohë që shfaqen imazhet e presidentit të sapozgjedhur së bashku me liderët hebrenj, krahu i djathtë i Bin Laden akuzon Obamën t’i ketë kthyer shpinën origjinës së tij islamike, për të mbështetur Izraelin dhe duke u vënë në shërbim të hebrenjve. Nuk ka munguar as një mesazh drejtuar SHBA-së: “Amerika, kryqëzatori kriminal dhe pushtues, vazhdon të jetë i njëjti, kështu që ne do të vazhdojmë të bëjmë keq”, ka shtuar Al Zawahiri.