E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, protesta paqësore në mbrojtje të pavarësisë

 

Nën moton “Në Mbrojtje të Sovranitetit”, dhjetëra mijëra qytetarë prishtinas kanë protestuar mesditën e së mërkurës, në shenjë proteste me planin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Protesta paqësore është organizuar nga rrjeti i organizatave joqeveritare, të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, në të kanë marrë pjesë dhe figura të spektrit politikë kosovarë, përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. “Jo ndarjes së Kosovës dhe pacënueshmëria e sovranitetit”, “Respektoni sovranitetit” ishin sllogane të kësaj proteste. Nuk kanë munguar dhe parrullat kundër UMNIK-ut. Manifestuesit gjatë tubimit kanë qëndruar përpara Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe në fund kanë protesuar përpara ish-selisë së UNMIK-ut, tani EULEX-it. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij përpara qytetarëve kosovarë është shprehur se edhe nëse liderët kosovarë e pranojnë në çfarëdo mënyre gjashtëpikëshin, populli nuk do ta pranojë atë. Ai kundërshtoi neutralitetin e EULEX-it, duke e parë atë si një përkufizim që i mundëson Serbisë të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës. Në fjalën e tij, Kurti ka kritikuar qëndrimin e lidershipit të Kosovës karshi zhvillimeve të fundit politike. Ndërsa planin 4-pikësh të propozuar nga Prishtina, ai e ka cilësuar si një mundësi që Kosova e Serbia sërish të hyjnë në negociata. Protesta e zhvilluar dje është konsideruar si ndër më masivet që është organizuar në Kosovë, që nga përfundimi i luftës. Ajo është zhvilluar e qetë dhe pa incidente. Ndërkohë organizatorët kanë sinjalizuar se në vazhdim do të ketë organizime të ngjashme përsa kohë do të cenohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›