E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet dhe mbyllet në bagazhin e makinës kambisti

Një tjetër kambist i vjetër beratas ka rënë pre e grabitësve të armatosur dhe me maska. Ngjarja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së djeshme, në lagjen "30-vjetori" të qytetit të Beratit. Burimet zyrtare të policisë thanë se persona ende të panjohur, të armatosur, me maska në fytyrë dhe doreza në duar, kanë grabitur me dhunë dhe plagosur me mjete të forta kambistin Besim Guri, 40 vjeç, pronar i të vetmes agjenci të këmbimit valutor në Urën Vajgurore. Të njëjtat burime sqaruan se Guri ka përfunduar në urgjencën e spitalit të Beratit, i plagosur në kokë me mjete të forta, por jashtë rrezikut për jetën. Të afërm të kambistit 40-vjeçar, Besim Guri, japin versionin e tyre në lidhje me ngjarjen. Kristo Proko, pronar i pikës private të tregtimit të karburanteve "Jet-oil", në hyrje të qytetit të Beratit dhe i afërm i kambistit, shpjegoi për gazetën se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05.00 të ditës së djeshme, kur Besim Guri ka dalë nga shtëpia si zakonisht për të shkuar në Urën Vajgurore. Sapo ka hapur derën e garazhit ai është gjendur përballë dy pistoletave, që mbaheshin nga dy persona të maskuar dhe me doreza të zeza, të cilët e kanë urdhëruar t‘u dorëzonte pa u ndier çantën e parave që mbante në dorë. Sipas Kristo Prokos, kambisti ua ka dhënë menjëherë çantën e parave dhe i ka siguruar, se ishte i gatshëm t‘u jepte edhe të tjera nëse i falnin jetën. Por, kur grabitësit kanë parë se shuma e parave që ndodheshin në çantë nuk ishte ajo që ata kishin parashikuar, janë revoltuar dhe të egërsuar e kanë qëlluar disa herë prapa kokës me qyta pistolete dhe mjete të tjera të forta, duke e shembur për tokë pa ndjenja. Më pas grabitësit kanë hapur bagazhin e "Benzit" të tij, me targë BR 0381 B, kanë futur brenda kambistin dhe pasi e kanë mbyllur mirë kapakun e bagazhit janë larguar nëpër errësirë. Disa minuta më pas, kambisti është përmendur dhe ka thirrur për ndihmë. Por, ndihma është bërë e mundur vetëm kur në rrugë kanë filluar lëvizjet e njerëzve. Tregtarë e tezgave kanë dëgjuar thirrjet dhe kanë njoftuar familjarët e 40-vjeçarit. Për ta nxjerrë kambistin Besim Guri nga bagazhi i makinës është dashur të përdoret forca dhe ai është dërguar në spital.

M.Haxhialiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›