E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra përkrah Hitzfeldin

Ottmar Hitzfeld e ka marrë mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të analistëve të futbollit dhe të mediave zvicerane, pasi vendosi t’ua japë rastin futbollistëve të rinj në përfaqësuesen zvicerane. Granit Xhaka, Admir Mehmedi dhe Innocent Emeghara nuk e zhgënjyen trajnerin gjerman, në ndeshje me Anglinë, në Wembley të Londrës. Nga Express më 07 qershor 2011 në ora 09:18

Ottmar Hitzfeld ka sjellë tri risi në pë+rfaqësuesen zvicerane dhe që të tre ishin të dobishëm në ndeshjen e vështirë ndaj Anglisë në Wembley të Londrës, të shtunën që shkoi, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2012.

Trajneri gjerman është përkrahur dhe lavdëruar nga analistët dhe mediat zvicerane pasi ua dha rastin tre futbollistëve të rinj, Granit Xhakës, Admir Mehmedit dhe Innocent Emeghara.

Mediat helvetike shkruajnë se ky gjest i selektorit mund t’i motivojë edhe lojtarët e rinj të tjerë zviceranë, të cilët tash e tutje do të besojnë më shumë për një rast. “Është e rëndësishme që t’u besohet djelmoshave të rinj, pa rezervë”, ka thënë ish-trajneri i Bayern Munichut.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ishin futbollistët nën 20 vjeç, të cilët luajtën nga minuta e parë kundër Anglisë. Në moshë të re është edhe Eren Derdiyok (22). Në të kaluarën, Hitzfeld kritikohej shpesh për përfshirjen e futbollistëve të vjetër në skuadër. Pas pensionimit të Alex Freit e Marco Strellerit, gjërat ndryshuan.

Edhe pse të papërvojë, djelmoshat e rinj të Zvicrës shfaqën lojë për çdo lakmi në Angli. Një pikë e artë kjo e konsideruar nga mediat zvicerane, të cilat shkruajnë se as në kohën e veteranëve si Frei e Streller, Zvicra nuk arrinte të impresiononte si në Wembley, ku barazoi 2:2 me Anglinë, në një ndeshje ku po avanconte 2:0.

Hitzfeld e kishte dhënë shembullin më të mirë se u duhej dhënë rast lojtarëve të rinj, vitin e kaluar, kur në Botërorin 2010 e ftonte Xherdan Shaqirin.

“Trajneri ka dashur që ta ndërrojë faqen, duke ua dhënë rastin të rinjve. Në krahasim me ndeshjet e kaluara, këtë radhë arritëm edhe të nxjerrim pikë”, ka thënë mesfushori ofanziv i Baselit për ‘Sport Panorama’.

Hitzfeld insiston se e rëndësishme për djelmoshat e rinj është që ta heqin qafe presionin. Zvicra do ta ketë ndeshjen vendimtare kundër Bullgarisë, më 6 shtator. Kjo lojë për helvetikët është ‘gjithçka ose asgjë’. Nëse e fiton këtë takim, ekipit të Hitzfeldit i shtohen gjasat për kualifikim në Euro 2012.

Natyrisht, edhe në këtë ndeshje, gjermani planifikon t’ua japë rastin futbollistëve të rinj. Përpos pesë futbollistëve shqiptarë që luajtën në Wembley, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi e Granit Xhaka, në angazhimin e shtatorit mund të përfshihet edhe Albert Bunjaku, i porsakthyer nga lëndimi.

Shaqiri beson në Kombëtare

Xherdan Shaqiri beson në Kombëtaren zvicerane, e cila po e ndërron gradualisht gjeneratën. Mesfushori i Baselit thotë se kualiteti i futbollistëve të rinj zviceranë e bën të besojë në një të ardhme të ndritshme të kësaj përfaqësueseje.

“Ne mund të shikojmë kah e ardhmja. Kemi një numër të madh të lojtarëve të rinj, talentë të shumtë që në të ardhmen mund të bëhen lojtarë të mëdhenj. Kjo demonstron se çfarë të ardhmeje ka Zvicra”, deklaroi Shaqiri, i cili iu përgjigj pyetjeve të shumta të lexuesve në uebfaqen sport.sf.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›