E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysma e Francës në shitje

Më shumë se gjysma e ekipit të parë të përfaqësueses së Francës mund ta ndërrojë mjedisin gjatë verës. Janë plot 7 futbollistë francezë që flitet se do të transferohen në klube të reja në afatin kalimtar të verës. Këta zëra duket se ndikuan te këta futbollistë, të cilët nuk arritën më shumë se një barazim ndaj Bjellorusisë, në kualifikimet për Euro 2012. Nga Express më 07 qershor 2011 në ora 09:17

Përfaqësuesit e shitshëm. Franca nuk shkoi më larg se një barazim të premten ndaj Bjellorusisë. Një 1:1, i cili e shtyu kohën e kualifikimit në Euro 2012 deri në shtator. Faj për këtë ndoshta kanë zërat e afatit kalimtar të verës, të cilët sillen te pjesa e madhe e Bleus, te hiç më pak se shtatë titullarë. Fillojmë një nga një.

Sipas shtypit francez, Juventus, Manchester United e Liverpool po e shqyrtojnë mundësinë e transferimit të portierit Hugo Lloris, të cilin mund ta shesë Lyoni për 15 milionë euro. Edhe portieri i Monacos, Stephane Ruffier është bërë objektiv i disa skuadrave italiane, mbi të gjitha i Romës.

Roma ia ka mësyrë mbrojtësit të djathtë, Bakari Sagna, i lodhur në eksperiencën londineze me Arsenalin. Sakho, për herë të parë në fushë nga minuta e parë për ekipin e Laurent Blanc, në vend të të lënduarit Mexes, nuk e përjashton mundësinë e largimit, pasi PSG mbeti jashtë Ligës së Kampionëve.

Për qendërmbrojtësin premtues, i cili ka kontratë deri në vitin 2015 me klubin francez, nevojiten 14 milionë euro. Kapiteni Alou Diarra duket se do të largohet nga Bordeaux. Mbetet të definohet destinacioni i tij ndërmjet Marseille e PSG.

Është e madhe mundësia e ndarjes edhe të Samir Nasri me Arsenalin. Për mesfushorin francez janë në konkurrencë Barcelona, Manchester United, Inter e Bayern Munich. Kurse, ylli i Bavarezëve, Frank Ribery po ashtu mund të largohet nga Gjermania. Për të po ‘shtyhen’ Chelsea, Manchester City e Inter.

Në fund është Karim Benzema. Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho e konsideron të pashitshëm, por Arsenali është i gatshëm t’i ofrojë 25 milionë euro për ta sjellë në Emirates Stadium.

Për të gjithë këta, selektori Blanc ka një këshillë. “Para se të zgjidhni, flisni me trajnerin e skuadrës së re dhe kujtojani se Kombëtarja është prioritet”, tha trajneri francez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›