Zvicra vazhdon insistimin për Behramin
07/02/2005 Gazetat zviceriane vazhdojnë të shkruajnë për Valon Behramin dhe për një aktivizim të mundshëm të kosovarit me pasaportë zviceriane në ndeshjen miqësore të Zvicrës, me Emiratet e Bashkuara Arabe, parashikuar për të mërkurën, atëherë kur kombëtarja jonë do të përballet me Ukrainën. Gazeta zviceriane "Neue Zuercher Zeitung" shkruan se kosovari i Veronës, bashkë me italiano-zvicerianin Davide Kiumiento, pritet të fluturojnë bashkë nga aeroporti i Romës për në Dubai ditën e hënë. Plani i palës zviceriane është që të dy këta talentë të luajnë sa më shpejt me kombëtaren e Zvicrës, duke zgjidhur kështu përfundimisht (përsa i përket Behramit) dilemën me Shqipërinë apo me Zvicrën. Në raste se Behrami do të aktivizohej qoftë edhe për një minutë të vetme me kombëtaren e trajnerit Kuhn, atëherë ai do të bëhej "zvicerian". Të paktën këtë parashikon rregullorja e FIFA-s, që thotë se deri në nivelin under-21 lojtarët mund të luajnë edhe për dy kombëtare. 19-vjeçari Behrami ka dy vjet që zotëron një pasaportë zviceriane, pasi që në vitin 1998, kosovari u largua nga Mitrovica për në Lugano, bashkë me prindërit e tij. Por tani, pas luftës në Kosovë, duke qenë se ky vend nuk gëzon ende një status përfundimtar, edhe Behrami nuk disponon ende një pasaportë shqiptare. Pas një paraqitje të jashtëzakonshme të kosovarit me skuadrën italiane të Serisë B, Helas Verona, trajneri i kombëtares shqiptare, Hans Peter Briegel, ka kontaktuar me Behramin, duke përdorur si ndërmjetës edhe shqiptarin tjetër të Veronës, Erion Bogdani. Briegel e ftoi Behramin në Tiranë dhe aty i kërkoi që të luante me Shqipërinë. Por, në krahasim me Zvicrën, Shqipëria, shkruan gazeta zviceriane, është një vend me më pak arritje në futboll. Për momentin, Zvicra ka në dorë në "kartë të rëndësishme": Në Euro 2008, ajo ka një vend të siguruar në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar, duke qenë se është një nga vendet organizatore, bashkë me Austrinë. Në këtë mënyrë, oferta e trajnerit zvicerian Kuhn për Behramin (si edhe për Kiumienton) nuk ka vetëm rëndësi diplomatike, por është gjithashtu një shenjë që trajneri zvicerian ka filluar të mendojë që tani për të ardhmen e skuadrës, duke afruar një talent si Behrami. Në lidhje me praninë e kosovarit dhe të italiano-zvicerianit Kiumiento në Dubai. Jakob Kuhn shprehet: "Unë jam i bindur që të dy do të vijnë." Por, në mbasditen e së hënës do të mbyllet përfundimisht kjo çështe, atëherë kur avioni i nisur nga Roma të ketë mbërritur në Dubai.