Zv/kryeministri Haxhinasto: Shqipëria ka shënuar ndryshime të rëndësishme, e domosdoshme reforma zgjedhore

Zv/kryeministri, njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë fjalës së tij të mbajtur në Samitin e Dubrovnikut, në Kroaci, ka deklaruar se rajoni ka bërë ndryshime progresive. Numri dy i qeverisë është ndalur edhe në zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se zgjedhjet lokale janë me rëndësi për reformat zgjedhore. “Shqipëria ka bërë progres të gjithanshëm dhe vijon kontributin e saj për stabilitetin në rajon”- është shprehur ai. Haxhinasto ka theksuar në këtë drejtim, se rajoni po lëviz në drejtimin e duhur dhe se bashkëpunimi rajonal shtrihet në doganë, arsim dhe lëvizjen me karta identiteti. Ministri i Jashtëm shqiptar, gjithashtu është ndalur edhe në integrimin e rajonit, duke e cilësuar atë një ndër prioritetet më të rëndësishme në axhendën e Bashkimit Evropian. Në Samitin e 6-të të Kroacise, me temë “Dekada e Re për Evropën Juglindore - Finalizimi i Tranzicionit”, do të diskutohet për përcaktimin e parimeve ekonomike, me theks rolin e investimeve, sfidat e sigurisë të lidhura me ndryshimet politike dhe sociale në Mesdhe dhe vazhdimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian për vendet e Evropës Juglindore. Ky Samit i përvitshëm, shërben si një forum dialogu mes kryeministrave, ministrave dhe të ftuarve të nderuar nga Evropa dhe Amerika e Veriut, i fokusuar krysesisht në çështje të integrimit të Evropës Juglindore në strukturat evropiane dhe transatlantike.
...