SHBA: Shqipëria të vazhdojë kursin e reformave, të përqendrohet te axhenda e integrimit

Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto takon nënsekretarin amerikan të shtetit, Ëilliam Burns
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto takon nënsekretarin amerikan të shtetit Ëilliam Burns, gjatë samitit të Dubrovnikut
Gjatë punimeve të samitit të 6-të të Kroacisë, numri 2 i qeverisë shqiptare dhe ministri i Punëve të Jashme pati një takim dypalësh me nënsekretarin amerikan të shtetit Ëilliam Burns, ku u fol mbi marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet politike në Shqipëri dhe situatën në rajon.
Z. Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe theksoi se “forumet e biznesit që po organizojmë, do të rrisin volumin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Tani është koha që investimet amerikane të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri”.
Nënsekretari Burns tha se partneriteti i SHBA-ve me Shqipërinë është i rëndësishëm dhe vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në Afganistan dhe në Tunizi.
Lidhur me situatën politike në Shqipëri, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme tha se tashmë zgjedhjet vendore kanë përfunduar dhe duhet të fokusohemi në reformën zgjedhore. Ministri Haxhinasto u shpreh se është e rëndësishme që u zbatua ligji dhe mësimet e nxjerra duhet të kihen parasysh në të ardhmen. Po ashtu- tha z. Haxhinasto- besojmë se një dinamikë më pozitive në vend mund të kualifikojë vendin tonë për një opinion pozitiv për statusin e vendit kandidat. Pavarësisht situatës politike, - tha z. Haxhinasto - vendi ka stabilitet dhe ekonomia tregon një rritje të vazhdueshme.
Nga ana e tij, z. Burns tha se tashmë Shqipëria duhet që të përqëndrohet në axhendën e integrimit evropian. “SHBA është e gatshme t’ju ndihmojë në rrugën tuaj, sepse partneriteti midis dy vendeve është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara”- u shpreh zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.
Lidhur me rajonin, u thekua rëndësia e integrimit të rajonit si i tërë në strukturat euro-atlantike dhe z. Haxhinasto nënvizoi se tashmë është koha që edhe Kosova të jetë pjesë e proceseve të bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes euroatlantike të gjithë rajonit.
Ministri Haxhinasto vuri në dukje se është e rëndësishme që marrëveshjet e realizuara në procesin e dialogut Kosovë- Serbi të zbatohen. Ai u shpreh se domosdoshmëri është vazhdimi i integrimit Evropian për Kosovën, ku lëvizja e lirë drejt zonës “Schengen” është hapi i parë i rëndësishëm.