Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm takon një grup gazetarësh gjermanë
Ministri Haxhinasto: Sfida kryesore e Shqipërisë, integrimi në BE
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në takim një grup gazetarësh gjermanë nga mediat më prestigjioze gjermane, të cilët ndodhen në një tur informativ në vendin tonë. Ministri Haxhinasto bëri një paraqitje të zhvillimeve në Shqipëri, të arritjeve kryesore gjatë viteve të fundit, por edhe të sfidave me të cilat përballet vendi si në politikën e brendshme, edhe në politikën e jashtme. Ministri Haxhinasto theksoi se sfida kryesore e Shqipërisë është integrimi në Bashkimin Europian, një objektiv ky që qëndron në krye të axhendës së çdo force politike në vend.
Gjermania, shtoi ministri Haxhinasto, është një kontributor i rëndësishëm i procesit të integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gazetarë janë pjesëtarë të Klubit të Shtypit të Berlinit, të drejtuar nga kryetarja e këtij klubi znj. Evelyn Fischer.
Gazetarët përfaqësojnë mediat më prestigjoze gjermane si: Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung, Gazeta Tagesspiegel, Die Ëelt, Gazeta Märkische Allgemeine Zeitung, Stacioni televiziv N-TV, Stacioni Ëestdeutsche Rundfunk, filial i ARD, Radio-TV Deutschland-Berlin- Brandenburg, Gazeta “Berliner Zeitung”, etj. Ky grup ka vizituar më përpara edhe Kosovën. Gazetarët gjermanë do të vijojnë takimet me autoritetet më të larta të institucioneve shtetërore qendrore dhe lokale, me përfaqësues të shoqërisë civile, të medias vendase, etj. Gjatë qëndrimit të tyre, ata do të vizitojnë pikat turistike dhe arkeologjike në Durrës, Berat, Sarandë dhe do të priten nga bashkiakët e këtyre qyteteve. Qëllimi i këtij turi është njohja nga afër me procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe Kosovës, përmes bisedave me autoritetet e larta të institucioneve shtetërore qendrore dhe lokale, me përfaqësues të shoqërisë civile, të medias vendase, etj.