“Shqipëria të na mbështesë në rrugën e integrimit euro-atlantik”
Koordinim të aktiviteteve për 100 vjetorin e Pavarësisë
Bashkëpunimi në mes dy vendeve, Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, koordinimi i aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar kanë qenë temat për të cilat kanë biseduar zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto.
Në këtë takim dy bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi në mes dy vendeve është i mirë dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë në të ardhmen.
“Biseduam për të gjitha temat që kanë qenë në interes të dy vendeve, siç janë çështja e kalimin e kufirit nga shtetasit e dy vendeve vetëm me letërnjoftime, çështjen e patentës së vozitjes që do të jetë në funksion të lehtësimit të turizmit, infrastrukturën dhe energjetikën. Biseduam edhe për ndodhitë e fundit në Maqedoni duke konstatuar se këto incidente nuk kanë prapavijë politike dhe institucionet I kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e tyre. Folëm për Marrëveshjen e Ohrit si dokument themelor i sistemit politik, pjesë e Kushtetutës dhe kriter për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike. Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe koordinimi aktiviteteve në lidhje me shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit dhe gjithë aktivitetet pritet të përfundojnë kah fundi i vitit”, theksoi Musa Xhaferri.
Ndërkohë, kryediplomati shqiptar Haxhinasto theksoi se marrëdhëniet në mes Maqedonisë dhe Shqipërisë janë të mira dhe se bashkëpunimi në mes dy vendeve në të ardhmen do të intensifikohet edhe më shumë. Ai përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjeve që janë në frymën e marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve, si marrëveshja për lëvizje të lirë të qytetarëve.
“Së bashku me Xhaferri koordinuam aktivitetet në lidhje me shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë me të cilin dëshirojmë të tregojmë gjithë botës se populli shqiptarë është popull konstruktiv dhe paqedashës dhe në të ardhmen do të intensifikojmë marrëdhëniet tona”, tha ministri Haxhinasto.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmon Haxhinasto ka takuar në Shkup dhe liderë të tjerë të spektrit politik shqiptar. Pas takimit me zëvendëskryeministrin shqiptar, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti tha se ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Edhe pse ishte paralajmëruar që Haxhinasto të takojë liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi në takim janë paraqitur vetëm dy përfaqësues të tij.
Ata kërkuan nga Tirana zyrtare qëndrim më të ashpër ndaj Shkupit, duke u ankuar se pozita e shqiptarëve në Maqedoni për momentin është tejet e rëndë.
Në Maqedoni Haxhinasto është takuar me kryeministrin Nikolla Gruevski, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski dhe presidentin Gjorge Ivanov.