E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, emërohet Avokat i Shtetit

TIRANE – Transferime në Ministrinë e Drejtësisë, zëvendësministri Eduard Halimi, shkon të kryesojë Avokatin e Shtetit, ndërsa kreu i kodifikimeve pritet të marrë detyrën e zv/ministrit të dikasterit të drejtësisë. 

Burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë pohojnë faktin e lirimit të Halimit nga posti i numrit dy të dikasterit të drejtësisë dhe emërimin e tij Avokat i Shtetit, ndërsa burime të tjera të ministrisë pohojnë se, zëvendësi i tij pritet të jetë Viktor Gume, kreu i kodifikimit në këtë institucion. Mesditën e djeshme, Halimi u prezantua në postin e ri nga ministri Enkelejd Alibeaj, ndërsa Gume pritet të prezantohet në mbledhjen e radhës së qeverisë. Eduard Halimi qëndroi në postin e zëvendësministrit të Drejtësisë që nga koha e ardhjes në pushtet të së djathtës pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Gjatë kësaj kohe atij i është dashur të punojë me tre ministra, Aldo Bumçi, Ilir Rusmali dhe së fundmi me Enkeljed Alibeaj, ish-shokun e klasës në Shkollën e Magjistraturës. Para se të merrte postin e zëvendësministrit, Halimi ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë së kryeqytetit, profesion të cilin e nisi pas dorëheqjes nga gjyqësori. Halimi i përket brezit të parë të magjistratëve shqiptarë dhe njihet si një nga juristët më në zë në kryeqytet. Para se të merrte postin e numrit dy të drejtësisë Halimi ka përfaqësuar në Kolegjin Zgjedhor të Apelit kandidatët e djathtë si dhe PD-në, në lidhje me mosmarrëveshjet zgjedhore.                     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›