E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb bastin me Holandën denoncon për “grabitje”

TIRANE - Muratori humbet 10 mijë euro në baste për Holandën, denoncon në polici se i grabitën 7 mijë euro për të justifikuar humbjen e parave. 

Kështu ka ndodhur me L.Xhanin, 33 vjeç nga Përmeti, banues në Kombinat. Ai ka qenë pranë zonës së Kopshtit Botanik të dielën në mbrëmje kur ka njoftuar policinë, duke pretenduar se është grabitur. “Ishin dy veta të maskuar me një automjet fuoristradë, në duar mbanin armë dhe më kërcënuan. Më kërkuan të gjitha paratë që kisha me vete dhe ua dhashë nga frika”. Ky ka qenë pretendimi i L. Xhanit, përpara efektivëve të Komisariatit të policisë nr.2, të cilët janë detyruar të kërkojnë ndihmën e specialistëve të zyrës së grabitjeve. Këta të fundit kanë mbërritur në ambientet e Komisariatit të policisë nr.2 dhe kanë nisur të marrin në pyetje muratorin nga Përmeti. Për disa orë me radhë ata kanë kërkuar të dinë dhe të zbulojnë sa më shumë detaje rreth grabitjes që i kishte ndodhur qytetarit. Ai ka vazhduar të këmbëngulë se grabitësit nuk i ka njohur dhe se ata kanë qenë me maska. Ai nuk mbante mend targën e makinës, ndërsa ka dhënë dy tri përgjigje kontradiktore. Këto të dhëna nga “i grabituri”, kanë bërë që policia të dyshojë tek vetë ai. Pas më tepër se pesë orësh në pyetje policia ka mësuar se ai në të vërtetë nuk ishte grabitur. Vetë i ndaluari ka pranuar se kishte humbur një sasi të konsiderueshme në baste dhe lojëra fati. Vetë Xhani, ka pranuar se nuk ia kishin grabitur paratë, por se i kishte humbur duke vënë bast për Holandën në ndeshjen e Kampionatit Evropian, kur ky ekip u mund nga Rusia. Ky pohim ka qetësuar hetuesit, të cilëve iu duhej të zbulonin një ngjarje që s’do të kishte kurrë autor.                         d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›