E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv.ministrja e Arsimit fton kërkuesit shqiptarë në atdhe

Autori i Lajmit: red.
Zv.ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Adriana Gjonaj, u bëri thirrje të hënën kërkuesve të huaj, apo atyre shqiptarë që punojnë në vende të huaja, të angazhohen në projekte dhe programe kërkimore për bashkëpunim me shkencëtarët e gjeneratës së re, pasi, sipas saj, duhet të përgatisim shkencëtarë të rinj që t u përgjigjen hapave të kohës. Në fjalën e saj përshëndetëse, në takimin e tretë vjetor ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca (IASH), Gjonaj vlerësoi se refoma me integrimin e institucioneve kërkimore në arsimin e lartë optimizoi përdorimin e burimeve ekzistuese, njerëzore dhe financiare, si dhe infrastrukturore, duke i integruar ato në një sistem të vetëm të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Sipas saj, universiteteve iu bashkangjitën me qindra shkencëtarë dhe kërkues, shumë laboratorë dhe infrastrukturë tjetër kërkimore. Aktualisht, janë 12 qendra universitare publike të vendit, në Tiranë dhe rrethe, ku punojnë me mijëra pedagogë, kërkues dhe përgatitën mijëra studentë, pa përmendur ato private. Ajo vuri në dukje se "reformimi u shoqërua me rritjen e financimit të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, i cili është katërfishuar, me hartimin dhe mbështetjen e programeve kombëtare të kërkimit dhe shkencës, me mbështetjen dhe nxitjen e programeve bilaterale dhe multiraterale të kërkimit, ku MASH ka qenë mjaft aktive". "Është akorduar fond ekselence për mbështetjen e studimeve doktoratoriale dhe postdoktoratoriale për kërkuesit e rinj, që është më i madh këtë vit", - tha Gjonaj, e cila kujtoi se në kuadër të programit “Brain Gain” po punohet për kthimin e shkencëtarëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit, apo aktivizimin e tyre në zhvillime të shkencës dhe arsimit të lartë në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›