E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, fasonistët: Po shkojmë drejt falimentit

 

Fabiola Çela

Biznesi fason është i pari që është prekur nga kriza globale financiare. Eksportet e mallrave gjysmë të gatshme kanë rënë ndjeshëm, çka i ka vënë në vështirësi financiare fasonistët. Në një situatë të tillë, ata kanë kërkuar ndihmën e qeverisë për të ndërhyrë me lehtësira fiskale.
Kriza
Gjatë një takimi të zhvilluar mes përfaqësuesve të qeverisë dhe Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të veshjeve janë vënë në pah të gjitha pengesat me të cilat po hasen fasonistët. Përveç krizës globale, biznesi fason është vënë në vështirësi edhe nga reforma fiskale e ndërmarrë vitet e fundit nga qeveria, që solli taksën e sheshtë, si dhe rritjen progresive të pagës minimale. Përballë fasonistëve qeveria ka premtuar ndihmë, ndonëse zëvendësministri i Financave, Florjon Mima, është treguar i rezervuar në lidhje me masat që do të ndërmerren. Sipas fasonistëve, eksportet kanë shënuar gjatë muajit dhjetor rënien më të lartë mujore historike gjatë këtyre viteve të fundit. Kërkesa më e ulët nga partnerët ndërkombëtarë është dhe arsyeja e stepjes së eksporteve të tekstileve e këpucëve. Sipas tyre, shqetësues është fakti që grupmallrat e prekura nga kriza përbëjnë 88% të eksporteve shqiptare, ndërsa mbulimi i importeve nga eksportet arriti në nivele minimale historike në dhjetor prej vetëm 16%, nivel që nuk është parë asnjëherë në periudhën 2000-2008. Por efektet e krizës vazhdojnë edhe më tej për biznesin fason. Sipas tyre, kjo tkurrje e eksporteve do të ndikojë në nivelin e punësimit. Kompanitë në vështirësi do të tentojnë të reduktojnë fuqinë punëtore, në përpjekje për të mbijetuar dhe reduktuar kostot. Sipas të dhënave zyrtare në shkallë vendi, numërohen sot më shumë se 400 subjekte private, që punojnë me fason, prej të cilave rreth 300 janë të përfshira në sistemin e kompjuterizimit të shërbimit doganor “ASICUDA”, dhe që qarkullojnë rreth 4 miliardë lekë si xhiro ekonomike. Vetëm në Tiranë numërohen afro 160 biznese prodhuese me fason, me një xhiro ekonomike prej rreth 1.2 miliardë lekë.

Kërkesat e fasonistëve

    Të hartohet një plan se si mund të ndihmohen kompanitë eksportuese.
    Subvencionet apo ndihma direkte nuk janë një zgjidhje as e qëndrueshme. Rritja e konkurrueshmërisë së kompanive shqiptare, nxitja për diversifikimin e eksporteve duket e domosdoshme.
    Kërkohet rritja e vlerës së shtuar të kompanive, specializimi në tregje të caktuara, në mënyrë që kosto e ulët e fuqisë punëtore të mos mbetet përparësia e tyre kryesore.
    Rimbursimi i shpejtë i TVSH-së është masa më e shpejtë që qeveria duhet të ndërmarrë për të nxitur këtë pikë kritike të ekonomisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›