Vizat, ambasadat shkelin marrëveshjen
BLEDAR HOTI
Ambasadat e ven-deve anëtare të BE-së nuk e zbatojnë të plotë marrëveshjen e liberalizimit të vizave që Shqipëria ka nënshkruar një vit më parë. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga raporti i Lëvizjes Europiane i publikuar një vit pas miratimit të Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave që bën të ditur se, “pavarësisht se vendet e Shengenit i kanë procedurat e vizave të rregulluara në bazë të udhëzimeve të përbashkëta, në praktikë ka rezultuar se zbatimi i tyre ka qenë i ndryshëm, duke sjellë vështirësi për aplikantët dhe duke mos e perceptuar aplikimin për në vendet Shengen si aplikim në një hapësirë unike, por si aplikim që ndryshon në varësi të kërkesave dhe rregullimeve specifike të secilit vend anëtar të Shengenit”. “Nëse aplikanti nuk i përket ndonjë prej kategorive, të cilat janë përjashtuar nga tarifa e vizës, atëherë këtyre kostove duhet t’i shtojmë edhe mesatarisht 4500 lekë (35 euro) për tarifën e vizës, çka do të thotë se një aplikim për vizë kushton mesatarisht 9000 lekë (70 euro), që është një shumë e konsiderueshme për shqiptarët”, thuhet në raport. MLV-ja pritej që të reduktonte edhe kostot e aplikimit për vizë Shengen, por situata e analizuar më sipër duket se nuk ka sjellë ndryshim, me përjashtim të kategorive të cilat janë përjashtuar nga detyrimi për të paguar tarifën e vizës. Problem shihet dhe lënia e takimit për vizë në një afat 35 apo 54-ditor nga momenti i kontaktimit të përfaqësisë konsullore nuk i shërben lehtësimit të procedurave për vizë dhe as intensifikimit të shkëmbimeve, sidomos nga kategoritë përfituese të MLV-së. Probleme janë edhe me çështjet e pritjes në orare të shtetasve shqiptarë nëpër konsullata të ndryshme. Aplikanti duhet të ketë parasysh oraret zyrtare të funksionimit të përfaqësisë konsullore për të telefonuar dhe lënë takimin, të cilat gjithashtu ndryshojnë në varësi të konsullatave të ndryshme. Nga vëzhgimet e kryera vlerësohet se numri i përafërt i aplikantëve në një ditë, të cilëve u pranohet dokumentacioni, është mbi 150 persona tek konsullatat e Greqisë dhe Italisë. Fluksi i madh i drejtuar kryesisht drejt përfaqësive konsullore të Italisë dhe Greqisë është i pakrahasueshëm me numrin e personave që aplikojnë në konsullatat e tjera, i cili varion nga 15 në 30 persona.
Ministrat e Jashtëm të BE-së premtuan liberalizimin e vizave
Liberalizimi i vizave të shqiptarëve me BE-në është prioritet i Ministrisë së Jashtme dhe qeverisë shqiptare, njëherësh dhe një aspiratë e vjetër e shqiptarëve. Pas miratimit të Marrëveshjes së Liberalizimit të vizave, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha në takimet me homologët e vendeve të BE-së e ka pasur si prioritet kryesor çështjen e liberalizimit e vizave. Të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së që kanë vizituar Shqipërinë, apo të tjerë që janë takuar në vizitat e kryediplomatit shqiptar jashtë vendit, kanë shprehur vullnet të qartë dhe angazhim për të realizuar këtë objektiv. Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Fratini, u shpreh gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë se “liberalizimi i vizave duhet të bëhet dhe se kjo është jo vetëm në interesin e shqiptarëve, por edhe të vendeve të BE-së”. Fratini është një mbështetës i hershëm i kësaj ideje, po ashtu dhe artikulues i saj, që në kohën kur kishte mandatin e zv.Presidentit të Komisionit Europian në Bruksel. Një OK i fuqishëm në këtë drejtim edhe para pak ditësh nga shefja e diplomacisë së Greqisë. Në konferencën e përbashkët për shtyp që ajo pati me ministren e Jashtme, Dora Bakojanis u shpreh: “Po, ne mbështesim Shqipërinë në objektivin e saj për liberalizimin e vizave”. Italia dhe Greqia janë dy vendet ku ka më shumë se një milion emigrantë shqiptarë. Këtë atmosferë pozitive për heqjen e vizave e kanë konfirmuar edhe takimet e ministrit të Jashtëm, Basha me homologët e tij të vendeve anëtare të BE-së. Kështu shprehjen e vullnetit dhe të gatishmërisë për të mbështetur heqjen e vizave të shqiptarëve, diplomacia shqiptare e ka gjetur edhe në takimet e Bashës në Lisbonë, takimi me ministrin e Jashtëm të Spanjës gjatë ministerialit të Romës dhe së fundmi, gjatë vizitës në Hungari. Të njëjtën gatishmëri shprehu edhe ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, pas takimit që pati me ministrin e Jashtëm në Tiranë. Ministri çek, i cili ka edhe presidencën e BE-së deri në qershor të këtij viti, tha se liberalizimi i vizave do të jetë pjesë e padiskutueshme e axhendës së presidencës së vendit të tij.