E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare - Metodika e hartës së vlerës së pronës do të përcaktohet nga qeveria

08-05-2012 / Gazeta 55

Komisioni i Ligjeve në Kuvend miratoi dje projektligjin për pronat

Komisioni i Ligjeve në Kuvend miratoi dje projektligjin për pronat, sipas variantit të qeverisë. Sikurse bëhet e ditur nga burime pranë ministrisë së Drejtësisë, projektligji në fjalë parashikon që metodika e hartës së vlerës së pronës të përcaktohet nga qeveria dhe jo nga Parlamenti. Sipas këtij projektligji, Ministria e Drejtësisë parashikon shqyrtimin total të 6500 dosjeve të ish pronareve që gjenden në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda një vit e gjysmë. Në ndryshime përfshihet edhe propozimi i ministrisë së linjës, për shtyrjen e afatit të funksionimit të Agjencisë, deri në prill të vitit 2014. Të njëjtat burime bënë të ditur se, ministria e Drejtësisë paraqiti pranë Komisionit një relacion shtesë për këtë projektligj, prej 50 faqesh dhe bindi anëtarët e Komisionit për draftin e saj. I pranishëm në seancën e zhvilluar dje në Komisionin e Ligjeve, ishte edhe ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, që ndoqi diskutimet e anëtarëve të Komisionit. Jo vetëm kaq, por ai u bë pjesë e diskutimeve, ndërsa deklaroi se strategjia e re, që pritet të hartohet do të japë zgjidhje në mënyrën e duhur për subjektet e shpronësuara. Sipas ministrit Halimi, vlera e kompensimit do të jetë sipas standardeve kombëtare, që bazohen në tre komponentë përbërës së pronës. Për kreun e republikanëve, Fatmir Mediu ngërçi i krijuar për ligjin e pronave u zhbllokua me marrjen në shqyrtim të amendamenteve të PR. Mbledhja e komisionit të ligjeve u shoqërua me debate të shumta mes deputetëve të opozitës dhe Fatmir Mediut, gjatë kohës që ky i fundit prezantonte amendimet e tij në këtë ligj. Po ashtu gjatë diskutimeve relatori i këtij ligji, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u tërhoq nga qëndrimi i tij, për përcaktimin e metodologjisë nga Parlamenti, ndërsa miratimi i ligjit në tërësi mori në konsideratë amendimet e tjera të sjella prej tij në komision.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›