Ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në kohë krize
Berisha fton Napolitanon për 100 vjetorin e Pavarësisë
Kryeministri Sali Berisha, i cili po zhvillon një vizitë në Itali, u prit në një takim të veçantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë Italisë, qeverisë italiane dhe popullit italian për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në 20 vitet e ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe që vazhdojnë t’i japin asaj në rrugën e integrimit evropian. Kryeministri theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Italisë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Presidenti Napolitano shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të Kryeministrit Berisha. Presidenti theksoi se politika e Italisë kundrejt Shqipërisë ka ruajtur në mënyrë konstante frymën e bashkëpunimit e të miqësisë në të gjitha fushat, pavarësisht mazhorancave qeverisëse që kanë drejtuar Italinë. Ai shprehu kënaqësinë që Shqipëria ndodhet shumë pranë integrimit në BE dhe e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e tij dhe të Italisë në këtë proces.
Presidenti Napolitano shprehu vlerësimet më të larta për komunitetin shqiptar në Itali, duke theksuar se tashmë ai është një komunitet i mirë-integruar, si dhe shprehu kënaqësinë që sindroma e paragjykimeve ndaj tyre tashmë është tërësisht e tejkaluar. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen që populli italian i ka dhënë këtij komuniteti, jo vetëm komunitetit arbëresh, por veçanërisht në 20 vitet e fundit. Në mënyrë të veçantë, ai vlerësoi rolin e Presidentit Napolitano duke kujtuar në këtë kontekst edhe mbështetjen e tij në funksionin e tij të mëparshëm si ministër i Brendshëm, nëpërmjet dekreteve të ndryshme të firmosura prej tij, në atë periudhë.
Në përgjigje të interesit të Presidentit Napolitano për zhvillimet dhe progresin ekonomik, politik dhe institucional, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze te reformave ekonomike e institucionale dhe arritjeve që ato kanë sjellë. Presidenti Napolitano vlerësoi faktin që ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në kontekstin e një krize botërore, duke çmuar gjithashtu nivelin e lartë të shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore midis të dy vendeve dhe faktin që Italia është partner i parë tregtar i Shqipërisë. Gjithashtu, u diskutua për rritjen dhe fuqizimin e investimeve në Shqipëri, ku fokus u vu mbi zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë. Në këtë kontekst, u vlerësua roli i rëndësishëm i projekteve strategjike energjetike që lidhin Shqipërinë me Italinë. Në këtë kuadër, Forumi i sotëm ekonomik i zhvilluar mes sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare ka një rol të madh në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike. Duke theksuar se ky vit është viti ku Shqipëria dhe shqiptarët festojnë 100 vjetorin e pavarësisë, Kryeministri e ftoi Presidentin Napolitano si një mik të ndërtuar të shqiptarëve që të marrë pjesë në këto festime. Nga ana e tij, Presidenti Napolitano falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë me rastin e këtyre festimeve.