E Diel, 1 Nëntor 2026

Misionit EULEX në Kosovë, hetime edhe në Shqipëri. Qeveria: Raporti i Martit, pa asnjë fakt evident

08-05-2012 / Gazeta 55

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim projektligjin për hetimin e akuzave të bëra nga Dick Marti

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje pr/ligjin për hetimin e EULEX-it në lidhje me akuzat e Dick Martit. Ministri i drejtësisë, Eduard Halimi u shpreh gjatë prezantimit të nismës ligjore se, hetimi duhet të bëhet nëpërmjet një ligji, jo marrëveshjeje, ndërsa theksoi se
përfaqësuesit e EULEX-it kanë zhvilluar takime me ministra dhe prokurorë. Sipas ministrit Halimi qeveria merr përsipër të lejojë hetime në vendin tonë për akuzat e Dick Marty ndërsa ka theksuar se ky ligj kërkon shumicë të cilësuar në Parlament. “Ky është një ligj special, që i drejtohet Task Forcës së EULEX, që do hetojë akuzat. Projektligji është sjellë nga BE dhe në hartimin e tij morën pjesë institucione me rëndësi dhe gjithashtu projektligji është në përputhje me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”- u shpreh Halimi. Nga ana tjetër deputetët socialistë kanë shprehur parimisht aprovimin e tyre për draftin, por kanë kërkuar kohë për ta studiuar atë, e për të analizuar detajet e projekt/ligjit. Sipas tyre edhe pse ligji është i rëndësishëm nuk duhet të nxitohet për miratimin e tij. Ata kanë theksuar duhet t’u lihet kohë që edhe EURALIUS dhe Prokuroria të japin mendimin e tyre si dhe duhet t’u lihet kohë edhe përfundimit të procedurave të duhura.
Ndërkohë Këshilli i Ministrave miratoi ditë më parë projektligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”. Kryeministri Berisha vlerësoi se ky ligj do t’i krijojë ekipit të ekspertëve të Task Forcës hetimore të EULEX-it të gjitha mundësitë për një hetim të plotë, në të gjithë territorin e Shqipërisë, të pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Marty.
Duke e konsideruar të domosdoshme zbardhjen e të vërtetës mbi këto pretendime, Kryeministri theksoi se raporti nuk bazohet në asnjë fakt evident. Drafti i paraqitur në komision nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i njeh misionit EULEX në Kosovë, autoritetin për të zhvilluar hetime edhe në Shqipëri lidhur me akuzat e përfshira në raportin e relatorit të Këshillit të Europës, Dick Marti, për një trafik të mundshëm organesh të zhvilluar nga UÇK në fund të viteve ‘90, edhe në territorin shqiptar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›