Zyrtare, “Aleanca për Qytetarin” mandaton Bashën për Tiranën! Lulzim Basha: Bashkohuni me mua në këtë rrugë, të zgjedhim të ardhmen mbi të shkuarën

Mazhoranca çel fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit
Përmes një entuziazmi të jashtëzakonshëm në sallën e madhe të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, kandidati zyrtar i “Aleancës për Qytetarin”, për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha prezantoi platformën për ndërtimin e qytetit të Tiranës; kthimin e qytetit te qytetarët; Tiranën Evropiane; Tiranën simotër të kryeqyteteve të vendeve të Bashkimit Evropian. “Tirana e para, Tirana e Evropiane”- është slogani i Bashës për kryeqytetin e pas 8 majit, i cili do ketë së shpejti një tramvai si çdo kryeqytet Evropian, me një park tjetër krahas Liqenit Artificial, me taksa të ulëta dhe transparencë për çdo fond publik. Premtim i Bashës ishte edhe ndërtimi i një plani urbanistik, për një perspektivë dhjetëra vjeçare të qytetit, për t’i dhënë fund kështu kasaphanës urbane në Kryeqytet; stop betonizimit të pakriter. E gjithë platforma e Bashës përmblidhet në togfjalëshin "Tirana e Para".
Kandidati Lulzim Basha
Tirana do jetë një qytet për më shumë qytetërim. Një qytet për Qytetarin. Në këto 20 vjet e kemi parë qytetin tonë të rritet dhe të zmadhohet, por kur sot pashë me Aurelën, vendin ku rritet Dafina, ne meritojmë më shumë në këtë qytet. Tirana jonë përballet me probleme reale dhe të përditshme, probleme të cilat s’mund të zgjidhen as me protesta të dhunshme dhe as me beteja politike, por me punë, vizion krijues dhe dashuri. Qyteti ka nevojë për një ajër të ri, të freskët, realiteti sotëm është rraskapitës për qytetin e Tiranës, vendet e punës janë të pakta, çmimet e jetesës janë të shtrenjta, shkollat të tej mbushura, taksat e larta dhe të përhapura, korrupsioni evident. Jam njeri i premtimeve të mbajtura. Do të punoj për ju. Për mua ju jeni të parët, Tirana është e para. Akti im i parë si kryebashkiak do të jetë krijimi i një agjencia bashkiake për mbrojtjen e konsumatorët, për të kontrolluar këdo që do të spekulojë me çmimet në Tiranë. Mbrojtja e konsumatori,t mbrojtja e biznesit nga konkurrenca e pandershme do të jetë angazhim i përditshëm i Bashkisë. Unë sot deklaroj para jush: Tirana e hapur për biznes! Si kryebashkiaku juaj unë do heq 16 taksa dhe tarifa vendore dhe do ul 2 deri në 5 herë detyrimet. Tirana do jetë qendra e biznesit dhe unë do bëj gjithçka për të sjellë biznesin në Tiranë, për të rritur punësimin sepse për mua Tirana është e para. Ne do të eliminojmë mësimin me dy turne. Internet falas për të rinjtë, nxënës dhe studentë jo vetëm në shkolla por në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës. Shkollat tona janë ato që kanë prodhuar standarde, shkollat tona dhe tuajat do jenë tempuj. Bashkia do krijojë mundësi që Tirana të mbajë bashkë me infrastrukturën e nevojshme më shumë se 100 mijë studentë. Një bibliotekë të re për Tiranën është premtimi ynë brenda 3 viteve të para të mandatit. Kaosi në trafik sjell jo vetëm humbje kohe, por sjell edhe nivele të larta ndotjesh e cila sot ka sjellë të dhëna të papranueshme. Unaza e madhe do të rrisë eficencën e biznesit dhe qytetarin, duke ulur kohën e transportit. Duke filluar me unazën e madhe me një rrjet nënkalimesh dhe me një sistem nën kalimesh ne do të zgjidhim tërësisht problemet e trafikut në Tiranë. Angazhohem para jush për një sistem transporti publik të shtrirë në të gjithë Tiranën, model cilësor dhe të pakushtueshëm; Tirana do ketë si simotrat e saj Evropiane, “Tramvajin”. Ne kemi nevoje për lulishte, ne kemi nevojë për një plan për qytetin tonë. Lagjet ku banojnë qytetarët. Tirana do ta përfundojë “Odisenë” e mungesës së një Plani Rregullues, mungesa e të cilit është bërë mbartës i korrupsionit. Kjo do të marrë fund njëherë e mirë.
Kryeministri Sali Berisha: Lulzim Basha, personalitet i ndritur i Partisë Demokratike
Jemi mbledhur sot për t’i shprehur mbështetjen tonë kandidatit të PD-së, të “Aleancës për Qytetarin”, një prej personaliteteve më të shquara të sukseseve të Partisë Demokratike. Njërit prej qytetarëve më të shquar të kryeqytetit, intelektualit të talentuar zotit Lulzim Basha. Sot ne së bashku jemi këtu, për të mbështetur qytetarin e parë të ardhshëm të Tiranës, birin e këtij qyteti që 20 vjet më parë. Ti shkëlqeve zoti Basha si student shqiptar në Universitetin e Utrehtit, si studenti më i shkëlqyer, në një universitet të niveleve më të larta të Universiteteve të Evropës. Ne të mbështesim ty jo vetëm për studimet e shkëlqyera, ti fitove vendin e parë në botë në një nga konkurset. Ne mbështesim sot Lulzim Bashën, bashkëshortin shembullor, prindin shembullor. Ti je njeriu i vlerave familjare që Shqipëria i ka hyjnore. Ne mbështesim Lulzim Bashën sepse në vitin 2005, së bashku me një grup intelektualësh, të rinjsh, do riktheheshin në gjirin e Partisë dhe do ktheheshin në uraganin e fitores. Vitet tona nuk kanë qenë të lehta. Vitet tona kanë njohur vështirësi. Kombi ynë kishte njohur copëtime, ndarje, pushtime, diktatura, ndarje të mëdha nga malet dhe gjeografia. Ne jemi sot këtu burrat dhe gratë që vendosëm një tullë në bashkimin kombëtar, bashkimin kombëtar të Lirisë. Çështja kombëtare çështja e parë, çështja e dinjitetit të shqiptarëve. Ndaj dhe ne bëmë të pamundurën të mundur, vendosëm të shembim malet, të bashkonim kombin. Në këtë detyrë, ne mandatuam ministrin, zyrtarin që me përkushtimin e tij do të kapërcente çdo pengesë, do të bënte që projekti i rrugës së kombit të shndërrohej në realitet. U përpoqën të hedhin baltë mbi rrugën, mbi kombin, menduan se mund të të kryqëzojnë për fajin e vetëm se shndërrove në realitet një nga ëndrrat e shqiptarëve. Atyre iu mbetet e shkuara, kurse ju, vizioni i ardhshëm për Tiranën e qytetarit, për Tiranën e shekullit, për Tiranën kryeqytet Evropian. Gjimnazisti, Lulzim Basha, bashkë me qindra e mijëra studentë dhe studente të kryeqytetit, do të thërrisnin 19 vjet më parë në rrugët e Tiranës; “Shqipëria në NATO”, “Shqipëria si Evropa”. Partia Demokratike dhe Qeveria do t’i besonte atij diplomacinë e integrimit të Shqipërisë në NATO. Sot, Shqipëria është vend anëtarë i NATO-s, qytetari i saj i parë i ardhshëm bëri gjithçka, çdo gjë që kjo ëndërr fisnike të bëhej realitet dhe Tirana kryeqyteti ynë të jetë sot kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s. E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, ishte kushtrimi dhe thirrja që buronte nga zemra e tij dhe e të rinjve shqiptarë 210 vjet më parë. Sot, qytetari i parë i Tiranës del para jush, pasi me përkushtimin e tij, talentin e tij, vendosmëri e tij, ia doli të bëjë të mundur që shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Evropën, të fluturojë në Bruksel, duke realizuar ëndrrën e shqiptarëve për të lëvizur të lirë. Por ne, çfarë do që të bëjmë, kurrë ndonjëherë nuk ia shlyejmë, ndaj Tiranës ne kemi borxhe dhe detyrime. Jam përpjekur me dashurinë më të madhe që të bëjmë çdo gjë për një Tirana tjetër. Pavarësisht se këto 6 vite Tirana qeverisej nga kundërshtarët tanë, qeveria ime 3- fishoi fondet, në mënyrë që qytetarët e Tiranës të përjetonin standardet e një Tirane tjetër, por kjo u bë pamundur sepse Tirana e ëndrrës u zëvendësua me Tiranën e Betonit, Tirana e vizionit, me Tiranën e mbyllur, Tirana e parqeve me Tiranën e ferrave. Tirana, çdo ditë, çdo muaj largohej nga qytetarët e saj. Z.Basha, sot për qytetarët e Tiranës, një nga ëndrrat e qytetarëve, është ëndrra e Tiranës Evropiane, ëndrra e Tiranës së qytetarëve, ëndrra e Tiranës së Bukur. Jam këtu për të dhënë fjalën para qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë se qeveria që unë drejtoj do të mbështesë fuqishëm çdo projekt, çdo zhvillim të këtij kryeqyteti. Zoti kryetar i ardhshëm i Bashkisë, ne të japim ty në 8 maj ditën e fitores, të ëndrrës së qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë. Fitore!
Rajmonda Bulku: Lulzim Basha, e ardhmja e Tiranës
Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, çeli mitingun e PD-së në pallatin e sporteve “Asllan Rusi”, duke vlerësuar kandidaturën e Lulzim Bashës për bashkinë e Tiranës. Bulku tha se Basha është personaliteti që i duhet qytetit të Tiranës. "Janë të shumtë ata që duan të dëgjojnë Bashën"- tha znj.Bulku.
Ish-mësuesja e Bashës, Merita Xoxa
Kam patur fatin që të kem nxënësin Lulzim Basha në klasën time kujdestare. Tipari kryesor i Lulzim Bashës, është serioziteti. Luli zë një vend të veçantë. "Lulzim Basha është një personalitet i respektuar dhe i dashur për qytetarët e Tiranës. Luli, jam e bindur që do t’ia dalësh".
Doktor Ndroqi dhe nipi i kryetarit të parë të Bashkisë së Tiranës
Kam një shqetësim për të sjellë mes jush, dhe po ashtu dhe një kujtim. Shqetësimi është se s’mund të jetojmë më në një qytet të tej ndotur. Ne nuk mund të jetojmë në Tiranën e betonit. Lulzim Basha mund dhe do të bëjë diçka për Tiranën. Lulzim Basha duhet ta kthejë Tiranën te qytetarët, te njerëzit. Lulzim Basha, fitore!
Erjon Bogdani
Të gjithë ju e dini se futbolli është pasioni im, por para jush më ka sjellë një dashuri tjetër e madhe, dashuria për qytetin tim ku jam lindur. Vij me dëshirë në Tiranë sepse me merr malli për njerëzit e mi. Ndjehem jo mirë kur shoh Tiranën në gjendjen aktuale. Tirana meriton më shumë. Ne duam një kryetar bashkie që punon për sportin, shëndetin dhe qytetarët e tij. Për të fituar në futboll duhet një skuadër e fortë dhe një kapiten i mirë. Unë sot jam me skuadrën e Lulzim Bashës. Ju faleminderit!
Mitingu
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, zhvilluan sot një miting madhështor në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Mazhoranca çeli fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe njëherazi prezantoi zyrtarisht kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, për bashkinë e Tiranës, zotin Lulzim Basha. Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u miratuan kandidatët e mazhorancës për zgjedhjet vendore, “Aleanca për Qytetarin”, hap kështu fushatën elektorale, duke i paraprirë përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 8 majit.
...