E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të jemi të sigurt sivjet në Durrës...

25/03/2011  Shëndeti publik me epidemiologjinë nis kontrollin në vijën bregdetare

DURRES- Drejtoria e Shëndetit Publik dhe strukturat e higjienës së bashku me ato të epidemiologjisë kanë nisur ushtrimin e kontrollit në të gjithë gjatësinë e vijës bregdetare të frekuentuar në sezon vere për të identifikuar pikat e nxehta. Drejtori i Shëndetit Publik, Vasil Ziu, ka bërë të qartë se deri më 10 prill do të përfundojë raporti për situatën higjienike në vijën bregdetare.

Kontrolli

Drejtori ka pasur parasysh në këtë deklarim kontrollin një për një të të gjitha objekteve në buzë të detit dhe që shërbejnë për akomodimin e pushuesve si: hotele, restorante, fast- foode, pallate, bare, bufe, motele etj. Ziu ka thënë se do të bashkëpunojë me Agjencinë rajonale të Mjedisit dhe Epidemiologjinë, ndërsa është shprehur se të gjitha njësitë qeverisëse lokale janë njoftuar për të marrë masa para se ekipet e kontrollit të mbërrijnë në terren. Vitin e kaluar në muajin gusht vetëm në zonën Shkëmbi Kavajës-Golem janë bllokuar e prerë 11 lidhje tubacioni, të cilat shkarkonin në det ujërat e zeza dhe mbeturinat e tretshme të mensave, restoranteve dhe bareve në vijën bregdetare. Një hap i tillë është shtrirë edhe në plazhet e Kavajës, Golemit, Durrësit deri në bregdetin skajor të qarkut, në Shën Pjetër e Gjrin e Lalëzit. “Trajtimi abuziv i ujërave të zeza ka pasur me infeksione, të cilat nuk janë shfaqur me epidemik, por realisht kanë provokuar situata emergjence”,-ka thënë drejtori Vasil Ziu. Zgjidhja përfundimtare mbetet ajo e ndërtimit të impiantit për trajtimin e këtyre mbetjeve, por deri në mbylljen e ciklit të tillë higjiena dhe shëndeti publik do të përqendrohen tek kushtet e pastërtisë në lokale, si dhe tek shmangia e derdhjes në det të ujërave të zeza. “Aktualisht në zonën turistike nga Currilat deri në Golem është dy e trefishuar sasia e ujit të pijshëm, duke zgjidhur përfundimisht këtë çështje kyçe, ndërsa ka shtuar rrezikun e ndotjes së detit nga ujërat e zeza”,-ka thënë Vasili. Kjo ndotje vjen ngase shumë lokale, pallate e hotele kanë gropa septike, të cilat nëse nuk pastrohen rregullisht rrezikojnë të shpërthejnë në sipërfaqe ujërat e zeza, duke i derdhur më pas në rërë e në det.

Ndotja

Ndotja është çështje shumë serioze në Durrës. Ndërmarrja e Pastrimit dhe Gjelbërimit, si dhe bashkia janë gjobitur nga Agjencia e Mjedisit me nga 1 milion dhe 2 milionë lekë për mungesën e higjienës në periferi të lagjeve të qytetit turistik. Plazhi i Durrësit në sezonin e verës ka më shumë se 250 mijë pushues, ndërsa kolektori i ujërave të zeza me kapacitetin që ka e ka të pamundur të përballojë këtë fluks. Kolektori kryesor i Plazhit është ndërtuar në vitin 1975-1976 dhe është llogaritur për t’iu përgjigjur kërkesave për 5 mijë banorë dhe jo më shumë se 3 mijë pushues. Por vetëm Plazhi që nis tek Ura e Dajlanit e përfundon në Plepa ka më shumë se 6000 apartamente me më shumë se 35 mijë banorë, ndërsa në periudhën 15 maj-30 gusht popullsia këtu 6-7 fishohet. Higjiena dhe Epidemiologjia kanë bërë të qartë se në bazë të informacioneve nga terreni, edhe sot ka lokale, biznese dhe apartamente që derdhin ujërat e zeza në det përmes tubacioneve nën rërë. Ndotja bakteriale është 3-4 herë më e lartë se limitet e lejuara. Marrja e masave një vit më parë, sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Durrës, Vasil Ziu, ka përmirësuar situatën tek Shkëmbi Kavajës, Mali Robit e në Golem, por nuk është zgjidhur përfundimisht disiplinimi i ujërave të zeza. Aktualisht pika të nxehta me nivel shumë të lartë ndotje deri edhe të rrezikshme sot për sot për t’u frekuentuar nga pushuesit e rërës janë Currilat, Ura Dajlanit, sektori Teuta, Plepa. Shëndeti Publik ka përpiluar, sipas Ziut, një hartë kontrolli për të vënë pikat mbi “i” dhe sipas drejtorit të këtij institucioni çdo rast shkelje dhe shmangie nga detyrimet ligjore do të ndëshkohet me gjobë dhe me mbyllje të aktivitetit. Këto ditë ky institucion ka marrë një raport edhe për lokalet që nuk respektojnë ndalimin e duhanit apo të tjera që shërbejnë me pije alkoolike për moshat nën 18 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›