E Diel, 1 Nëntor 2026

Përzgjidhen kandidatët e fitores së PD-së për zgjedhjet lokale

25/03/2011  Mblidhet Këshilli Kombëtar i selisë blu

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet sot për të vendosur përfundimisht emrat e kandidatëve që do të garojnë për drejtimin e njësive të qeverisjes vendore për katër vjetët e ardhshëm. Burime zyrtare deklarojnë se ky forum i lartë i kësaj partie do të përzgjedhë kandidatët që mendon se janë të aftë të përballen në garën e ardhshme, mes dhjetra të tillëve që baza ka propozuar për çdo njësi vendore. Në këtë mënyrë, mbledhja e Këshillit, e cila parashikohet të jetë e gjatë, do të bëjë selektimin e kandidatëve, emra që më pas do të marrin bekimin e kryesisë së madhe të PD-së për t’i hapur rrugën zyrtarizmit të tyre dhe regjistrimit pranë KZAZ-ve përkatëse. Në fakt, negociatat mes Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj kanë konkretizuar emrat e kandidatëve për disa nga bashkitë kryesore të vendit, emrat e të cilët janë publikuar në mënyrë të vazhdueshme në medie. Sot pritet të bëhet thjesht formalizimi i tyre. Ndërkohë që për shumë të tjerë mendohet të rikandidojnë krerët aktualë të tyre. Në këtë mënyrë, mazhoranca do të përfaqësohet me kandidatët e saj në Bashkinë e Tiranës (Lulzim Basha), në të Durrësit (Ferdinand Xhaferri) dhe në Vlorë (Ardian Kollozi). Sa u takon kandidaturave aktuale, mësohet se PD-ja do të rikandidojë në Dibër Ilir Krosin, në Shkodër Lorenc Lukën, në Sarandë Edmond Gjokën dhe në Korçë Andrea Manen. Deri tani kandidati i vetëm që është shpallur zyrtarisht nga PD-ja, është kandidati për Tiranës, ministri aktual i Punëve të Brendshme Lulzim Basha. Ndërkohë që edhe për minibashkitë në kryeqytet gjithashtu janë përcaktuar kandidatët, ku partia më e madhe e mazhorancës do të përfaqësohet në tri prej tyre. Në këtë mënyrë, për njësinë nr. 8 PD-ja do të përfaqësohet në këto zgjedhje me Arben Tafajn, në minibashkinë nr.10 me deputetin Gerti Bogdani dhe në njësinë bashkiake nr. 11 me Haki Mustafën. Zgjedhjet vendore të 8 majit shihen nga PD-ja si tejet të rëndësishme jo vetëm për stabilitetin e vendit, por do të shërbejnë dhe si një konsolidim i pushtetit nga ana e mazhorancës, që në mënyrë sistematike është goditur përgjatë kësaj kohe nga ana e Partisë Socialiste, e cila e ka akuzuar mazhorancën për manipulim të zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 2009.

Këshilli Kombëtar

Kandidatët e fitores në shërbim të qytetarëve është rendi i ditës së mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, njëherësh dhe slogani ku do të mbështeten anëtarët e tij për të përzgjedhur më të mirët mes shumë propozimeve që baza e partisë ka bërë për garuesin e vetëm përballë kundërshtarit për zgjedhjet vendore të 8 majit. Pas selektimit lista me emrat do të kalojë për miratim në kryesinë e PD-së.

Kandidati i parë

Ministri aktual i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, është kandidati i parë i zyrtarizuar nga Partia Demokratike për zgjedhjet vendore. Ai do të përballet me kryebashkiakun aktual të kryeqytetit për Bashkinë e Tiranës. Prezantimi i Bashës u bë nga anëtarja e KPD-së Çiljeta Xhilaga gjatë festës së të rinjve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në 19-vjetorin e themelimit të demokracisë më 22 mars në Pallatin e Kongreseve.

Manjani: Opozitës nuk i mungojnë listat, por votat

Sekretar për çështjet zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, akuzon opozitën shqiptare për nisje të projektit për shkatërrimin e zgjedhjeve vendore. Sipas tij, filozofia politike e opozitës është kundër zgjedhjeve të lira e demokratike, votës së lirë dhe së drejtës së çdo shqiptari për të votuar, institucioneve të shtetit demokratik. “Sulmi fizik dhe verbal ndaj të zgjedhurve vendorë, zyrave publike ku ata ushtrojnë veprimtarinë e tyre në dobi të qytetarëve, motivohet qartësisht nga paniku elektoral. Nga informacionet qe ne kemi, na rezulton se opozita shqiptare ka marrë kopje të listave paraprake të zgjedhësve, ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor. Mirëpo e vërteta është se atyre nuk u mungojë listat, por votat”, - tha Manjani. Në emër të LSI-së ai u kërkoi të zgjedhurve vendorë në detyrë, përfshirë edhe ata në ikje, të marrin përgjegjësitë që u jep ligji dhe të garantojnë standardin që çdo votues me të drejtë vote të jetë në listën e votuesve. “LSI-ja siguron se ky projekt është i dështuar, siç kanë dështuar të gjitha nismat e dhunshme të derisotme”, - përfundoi ai.

Berisha: Listat? Rama po akuzon vendorët e tij

Kryeministri Berisha mori pjesë në punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, pjesëtarë të grupit të PPE-ve, që u zhvillua në Bruksel. Kreu i qeverisë shqiptare i njohu të pranishmit me zhvillimet dhe situatën në Shqipëri, si dhe kërkoi mbështetjen e pjesëmarrësve për dërgimin e një numri sa më të madh vëzhguesish për zgjedhjet e 8 majit, në mënyrë që të jenë të sa më transparente. Ai garantoi kryetarët e shteteve për përkushtimin e qeverisë shqiptare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pas samtit kryeministri iu përgjigj interesit të medies lidhur me incidentin e socialistëve për listat e zgjedhësve, duke kujtuar se opozita qeveris në të gjitha bashkitë e mëdha. “Me sa shoh unë, opozita po ankohet ndaj vetes së saj. Njëherë akuzoi 20 000 komisionerë, tani akuzon qeveritarët e vet vendorë. Këto janë probleme të brendshme të opozitës. Ajo çka unë mund të garantoj është përkushtimi i plotë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, - tha kryeministri. Ndërsa pyetjes nëse opozita nuk do t’i njohë zgjedhjet Berisha tha: “Nuk është qeveria ajo që udhëheq opozitën, dhe as i dikton opozitës.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›