E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Duro firmos për Lask Linz

Mesfushori i Kombëtares shqiptare Klodian Duro firmosi me skuadrën e Bundesligës austriake, Lask Linz. Lajmi pas zyrtarizimit në faqen e klubit është përcjellë me bujë në mediat kryesore austriake si dhe nga Agjencia Austriake e Lajmeve, Apa.

Lask Linz i drejtuar nga trajneri Helmut Kraft po përjeton një moment të vështirë, pasi ka pësuar pesë humbje në po aq ndeshje në këtë fillim sezoni.

Gazeta “Kronen Zeitung” vlerëson se angazhimi i mesfushorit shqiptar 32-vjeçar Klodian Duro, i cili së fundi luajti në Qipro te Apollon Limasol, do të ndihmojë skuadrën e tij të re, sidomos në mesfushën ofensive

“Pas një bisede midis drejtuesve të Lask-ut dhe trajnerit Helmut Kraft u vendos që të veprohet në sërish në merkato. Për këtë arsye klubi nënshkroi një kontratë me mesfushorin 32-vjeçar Klodian Duro”, - thuhej në komunikatën zyrtare të publikuar.

Trajneri Helmut Kraft tha pas prezantimit zyrtar të Klodian Duros: “Unë jam i kënaqur, që Klodian Duro vendosi për ne. Ai do të na ndihmojë ne me përvojën e tij dhe unë jam i bindur se ai do të jetë një përforcim shumë i mirë për repartin tonë ofensiv. Dy përfocimet e fundit u bënë të mundura falë mbështetjes së partnerit T-Mobile dhe Intersport”, - citohet Kraft nga faqja zyrtare e klubit.

Vetë Duro, në deklaratën e tij të parë si lojtari më i ri i Lask Linz, theksoi: “Lask është një klub me traditë të madhe dhe unë jam i lumtur që me jepet mundësia të luajë për këtë ekip. Unë shpresoj, që të jap kontributin tim, në mënyrë që Lask-u të ngjitet sa më shpejt në pjesën e sipërme të tabelës”.

Duro shtoi: “Nga shoku im i ekipit Kombëtar, Hamdi Salihi, kam dëgjuar shumë gjëra të mira për futbollin austriak dhe unë pata një bisedë të mirë me trajnerin Kraft dhe pas kësaj unë vendosa për të luajtur në Austri. Unë shpresoj, që të dielën kundër Rapidit të Vjenës unë të jem për herë të parë në formacion”.

Klubi dëshiron që trajneri Kraft me dy rekrutimet e fundit (edhe të Emin Sulimanit) të përforcojë mesfushën dhe të ushtrojë një presion më të madh drejt sulmit, pasi drejtuesit e klubit e mbështesin 100 për qind trajnerin e tyre.

Klubi i Lask Linz vlerëson faktin së blerja e re, Klodian Duro, është një futbollist me shumë ndeshje me Kombëtaren shqiptare, por vlerëson edhe përvojën e tij të gjatë ndërkombëtare sidomos në Turqi, kur ka qenë edhe te Gallatasaraj, por dhe në Bundesligën gjermane te Arminia Bielfeld.

Sipas klubit të Lask Linz, trajneri Helmut Kraft e ndoqi Klodian Duron së fundi në ndeshjen e Shqipërisë kundër Uzbekistanit, ku edhe mori sinjale pozitive nga mesfushor shqiptar.

Duro do të mbajë në fanellë numrin 10 në fanellë.

Duro ka një përvojë të gjatë “legjionare” pasi më parë ka luajtur edhe në Turqi, Gjermani e Qipro, ndërkohë që Austria do të jetë “atdheu” i tij i katërt i improvizuar.

Te Lask Linz së fundi u afrua edhe shqiptari tjetër, 24-vjeçari Emin Sulimani, edhe ky një mesfushor.

Mediat austriake nuk japin detaje për koston e blerjes së Klodian Duros.

Gjatë merkatos verore u fol gjatë për një kalim të Klodian Duros te Dinamo, por gjithashtu edhe për një ofertë të bujshme nga Elbasani.

Duro në Shqipëri ka veshur fanellën e Elbasanit, Vllaznisë, Partizanit dhe Tiranës, nga edhe ku u largua më pas në drejtim të Qipros te Omonia Nikosia.

DETAJI
Aventura e Klodian Duros me Lask Linz do të jetë shumë emocionuese për të, pasi elbasanasi do të vendoset përballë Hamdi Salihit dhe Atdhe Nuhiut të Rapidit të Vjenës. Në kampionatin austriak luajnë shqiptarët Hamdi Salihi, Atdhe Nuhiu, Klodian Duro, Emin Sulimani

SKEDA
Emri: Klodian Duro
Datëlindja: 21.12.1977
Pozicioni: Mesfushor
Gjatësia/Pesha: 1,77m/70kg

EKIPET
Shqipëri: Elbasani, Vllaznia, Partizani, Tirana Turqi: Gallatasaraj, Samsunspor, Malatiaspor, Rizespor Gjermani: Arminia Bilefeld Qipro: Omonia Nikosia, Apolon Limasol Austri: Lask Linz
Me Kombëtaren
65 ndeshje, 5 gola

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Hene, 23 Gusht 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›