Zyrtare: Ferdinand, kapiten i Anglisë
Anglezët falënderojnë Kapelon në italisht: “Grazie signor Capello!”
Pas shkarkimit të Xhon Territ nga detyra si kapiten i Kombëtares angleze, është Fabio Kapelo ai që tashmë dhe zyrtarisht ka bërë të ditur këtë vendim. Spekulimet kanë qarkulluar ditët e fundit për të ardhmen e shiritit të kapitenit të përfaqësueses angleze, pas seks-skandalit të Territ me të fejuarën e shokut të tij të ngushtë, Uein Brixh. FA bëri publike se vendimi për Terrin do të ishte në duart e Kapelos, i cili u takua të premten pasdite me Terrin në Uemblli, ku vendosi dhe t’ia heqë shiritin e kapitenit. “Pasi jam menduar shumë, unë kam marrë një vendim që është më i mirë për mua dhe për skuadrën: ta shkarkoj Terrin nga detyra e kapitenit, theksoi Kapelo. Si kapiten, Xhon Terri tregoi sjellje tejet pozitive. Sidoqoftë, më duhet të marr në konsideratë gjërat e fundit që kanë ndodhur. Xhon Terri është njoftuar i pari për këtë vendim”. Kapelo aludoi se Ferdinand do të jetë kapiteni i ardhshëm, pas shkarkimit që u vendos për 12 minuta në një takim sy më sy mes Territ dhe trajnerit. “Unë kam emëruar dhe një zëvendëskapiten dhe një zgjedhje të tretë. Gjithçka është e qartë, Rio Ferdinand është kapiteni i ardhshëm i Anglisë”, shtoi më tej Kapelo. Shtypi britanik ka mbështetur vendimin e trajnerit italian, pikërisht me tituj në gjuhën italiane në faqen e parë. “Grazie signor Capello!” (“Faleminderit, zoti Kapelo!”), shkruhej te “Daily Mail”. “The Mirror” nënvizon “Terrivederci”, kombinim mes "Terri", emri i futbollistit, dhe “arrivederci” (“lamtumirë”), që nënkupton se kush e di kur do të ketë mundësinë ndonjëherë ta vërë në krah atë shirit. Edhe gazetat e tjera përdorin terma në italisht për të rrëfyer vendimin e teknikut italian për të shkarkuar Terrin “në interes të Anglisë”. Historia e Territ ka dominuar dje të gjithë shtypin kombëtar anglez, njëlloj sikur të bëhej fjalë për një shkarkim të një Kryeministri, si një tragjedi natyrale, si një luftë. Fletë pas flete, të gjitha gazetat, nga tabloidet skandalistike e deri te të përditshmet cilësore. Vendimi përfundimtar ka ardhur pas një konsultimi mes disa italianëve: trajnerit Kapelo, zëvendësit të tij, Franko Baldini, Karlo Ançelotit, trajnerit të Territ te çelsi dhe Mançinit, trajnerit të Mançester Sitit ku luan Uejn Brixh, lojtari “i tradhtuar” nga e fejuara, Vanesa Perroncel. Gjithsesi, edhe pse kjo çështje do të vazhdojë të diskutohet gjatë, vihet re që mediat britanike janë unanimisht pro vendimit të Kapelos. Megjithatë, tabloidet theksojnë se Vanesa, fotomodelja me origjinë franceze, në qendër të skandalit, ka vendosur të mos i tregojë detajet pikante të lidhjes së saj me Terrin (dhe me lojtarë të tjerë të çelsit), duke refuzuar ofertat prej qindra e mijëra sterlinash të gazetave të ndryshme, sepse ka marrë akoma dhe më shumë para, nga 400 mijë deri në 800 mijë sterlina nga vetë Terri, i cili ka blerë kështu heshtjen e saj, duke marrë shembull atë që bëri kampioni i golfit, Tajger Vuds, për t’ju mbyllur gojën të paktën disave prej të dashurave të tij, pas problemeve me gruan. Që sot do të fillohet të flitet në fushë se si do të luajë Terri në derbin çelsi-Arsenal.
#