Murinjo tani është diplomatik: Nuk ka asnjë çështje Baloteli
Interi
Trajneri i Interit e mbyll përfundimisht polemikën mbi sulmuesin e tij
Zhoze Murinjo provon të mbyllë çështjen “Baloteli” dhe njofton se kundër Kaljarit do të përdorë tre sulmues dhe mundësitë më të mëdha janë që një prej tyre të jetë pikërisht Mario: “Një çështje? Për mua nuk ka pasur asnjë çështje. Baloteli më dha të kuptoja se nuk ishte në gjendje të luante deri në fund, vetëm kaq. Sot është i grumbulluar dhe nuk do të shkojë në tribunë”. Murinjo u përgjigjet kështu pyetjeve në lidhje me të riun Mario Baloteli, të zëvendësuar të mërkurën gjatë gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Fiorentinës. “Për mua nuk ekziston asnjë çështje ‘Baloteli’. Kam luajtur me tre sulmues për disa kohë, pasi synoja kualifikimin që në ndeshjen e parë. Në pjesën e dytë kuptova se 1-0 ishte një rezultat pozitiv: mes mundësive për 2-0, ose rrezikut 1-1, preferova të mos rrezikoj”. Prandaj bëri vetëm një ndryshim taktik: “Futa në fushë një lojtar më shumë në mesfushë. Pandev ishte në fushë prej 15 minutash, Milito është Milito. Për mua nuk ekziston asnjë problem. I njoh lojtarët e mi, e di se cilat janë lojtarët më të disponueshëm dhe kush po vuan”, thotë Murinjo. Mbi çështjen “Murinjo-Baloteli” ndërhyn edhe presidenti Morati, duke folur për një marrëdhënie që “është më se e sinqertë”. Masimo Morati shpjegon në fund të konferencës vjetore të koordinatorëve të Inter Club: “Nga ana e Murinjos ekziston tentativa për ta bërë lojtarin të ndihet gjithnjë e më shumë pjesë e skuadrës, ndonjëherë kjo mund të ketë efekte të ndryshme. Por më duket se ekziston vullneti i mirë dhe se profesionaliteti kalon edhe nëpërmjet këtyre pengesave. Duke u rikthyer te konferenca e shtypit e trajnerit, Murinjo bën shaka, duke treguar një anekdotë mbi thënien e tij 24 orë më parë mbi neuronet (duke folur për blerjen e re, Mariga, kishte thënë: “Nëse dikush nuk mëson nga njerëz si Zaneti e Kambiaso, ka vetëm një neuron): “Shkova të marr djalin tim, që luan futboll. Prindërit e fëmijëve të tjerë më falënderuan, sepse fëmijët e tyre i kanë pyetur se çfarë është neuroni. Kam dhënë një kontribut për kulturën e fëmijëve 8-9 vjeçarë”. Ndërsa pjesën tjetër të diskutimit ai ia ka kushtuar të ardhmes së skuadrës.
#