E Shtunë, 31 Tetor 2026

ICO-ja ende e fuqishme në Kosovë

PRISHTINë- Ruajtja e kompetencave dhe përgjegjësive ekzekutive të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Piter Fieth, tregon se institucionet e Kosovës ende kanë nevojë për prani dhe mbikëqyrje ndërkombëtare, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Sipas tyre, ka ende shumë veprime politike që kanë nevojë për ndërhyrjen e Zyrës Ndërkombëtare Civile si partnere të institucioneve të Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se vendimet e Grupit Ndërkombëtar Drejtues që Piter Feithit t’i reduktohen disa kompetenca, por jo edhe ato ekzekutive, nuk e pengojnë zhvillimin e institucioneve, pasi që faktori ndërkombëtar, sipas tij, në Kosovë është partner dhe jo konkurrent i organeve vendore. “Ne kemi pasur një filozofi të përmbushjes së njëri-tjetrit dhe jo të konkurrimit, dhe mendoj që në këtë drejtim kemi pasur suksesin e duhur", thotë Kuçi. Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thekson se ngritja e plotë e institucioneve të Kosovës do të diktojë domosdoshmërisht reduktimin e plotë të kompetencave të institucioneve mbikëqyrëse ndërkombëtare. Ai e sheh ICO-në si një institucion që i duhet Kosovës edhe në lidhje me proceset integruese në strukturat e BE-së dhe NATO-s. “Gjithmonë ekziston nevoja për më shumë ngritje të kompetencave vendore me një ditë kur do të thosha se nuk do të kemi nevojë për një mbikëqyrje të tillë ndërkombëtare”, thekson Kuçi. Ndërkohë, deputetja opozitare nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, thotë se vendimet e fundit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues ishin sa pozitive, aq edhe mesazh-dhënëse për Kosovën. Ruajtja e kompetencave ekzekutive për përfaqësuesin civil ndërkombëtar, sipas saj, dëshmon për ngecjet në formimin e institucioneve funksionale të Kosovës. “Mosprekja e kompetencave të ICO-së, do të thotë se Qeveria e Kosovës ende nuk është e aftë për t’i përmbushur obligimet e veta ndaj qytetarëve të Kosovës. Ajo ende ka nevojë që institucionet ndërkombëtare, në këtë rast ICO-ja dhe EULEX-i, të jenë të pranishme në Kosovë me kompetencat që i kanë dhe, njëkohësisht, mund të them se ato janë përforcuar me takimin e Vjenës", shprehet Gaxherri.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›